Mbi 170 arrestime dhe sekuestrohen mbi 7 tonë dr*gë/ EUROJUST zbërthen rrjetin kriminal italo-shqiptarë, zbulohen skemat dhe vr*sjet

Eurojust ka bërë të ditur detaje të reja për një operacion të përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë kundër një organizate kriminale shqiptare të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe përfshirje në vrasje.

Sipas njoftimit, aksioni i zhvilluar më 26 maj në të dy vendet ka çuar në arrestimin e 12 personave, ndërsa për 3 të tjerë janë lëshuar urdhra paraqitjeje.

Hetimet lidhen me një rrjet kriminal të strukturuar që dyshohet se ka vepruar mes Shqipërisë dhe Italisë.

Çështja ka nisur pas vrasjes së një shtetasi italian në zonën e Barit në vitin 2025, ngjarje që më pas çoi hetuesit drejt një rrjeti trafiku droge të drejtuar nga shtetas shqiptarë.

Gjatë hetimeve është zbuluar edhe një skemë e pastrimit të parave, me transferime financiare që dyshohet se janë bërë nga Italia drejt Shqipërisë.

Eurojust bën me dije se në kuadër të këtij hetimi janë ngritur skuadra të përbashkëta mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, me mbështetjen e agjencisë europiane.

Sipas të dhënave, deri tani janë dokumentuar rreth 15 persona të përfshirë në vepra të ndryshme penale, përfshirë vrasje, trafik droge, armëmbajtje pa leje dhe zhvatje.

Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu një strukturë të organizuar në Tiranë që dyshohet se është përdorur për pastrimin e rreth 1 milion eurove të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Eurojust vlerëson se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë ka sjellë rezultate të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar, me qindra arrestime dhe sekuestrime të mëdha të drogës gjatë viteve të fundit.