Zbardhet dinamika e ngjarjes në Korçë/ Trafikanti përplasi makinën e policisë që t’i shpëtonte arrestimit, lëndohen dy efektivë, në kërkim pronari i lokalit ku bëhej shitja e dr*gës (EMRI)
Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni në Korçë, ku dy efektivë policie u përfshinë në aksident dhe njëri prej tyre mbeti i plagosur. Mësohet se policia kishte konstatuar një person që dyshohet se kishte blerë lëndë narkotike nga Vangjush Dushku, kamarier në një lokal në fshatin Lumalas.
Gjatë ndjekjes së të dyshuarit, efektivët u përplasën me automjetin e tij, duke mbetur të përfshirë në aksident. Personi që po ndiqej nga policia u arrestua dhe gjatë kontrollit iu gjetën doza droge, të cilat dyshohet se i kishte blerë te Vangjush Dushku.
Në të njëjtën kohë, forca të tjera policie ushtruan kontroll në lokalin ku punonte Dushku, ku gjetën doza të tjera narkotikësh si në trupin e kamarierit, ashtu edhe në ambientet e lokalit. Edhe Vangjush Dushku u vu në pranga.
Ndërkohë, pronari i lokalit është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ambienti përdorej për shitje të lëndëve narkotike. Sakaq, policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa efektivi i plagosur ndodhet në spitalin e Tiranës, jashtë rrezikut për jetën.
