Këlliçi: Veliaj mund të 'kapë' kupolën e drejtësisë, por nuk çlirohet nga zullumi dhe abuzimi me detyrën
Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kthimin në Gjykatën e Lartë të çështjes së kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.
Këlliçi shprehet përmes një postimi në rrjetet sociale se kupola e drejtësisë në vend po i hap rrugën lirimit të Erjon Veliajt. Gjithçka nisi me iniciativën e Sokol Sadushit, që bëri pak javë më parë rishikimin e praktikës gjyqësore për masat e sigurisë, ku vendosi që burgu të ishte e fundit masë që duhet marrë në rastet si Veliaj
Sipas Këlliçit, tanimë, është Gjykata Kushtetuese që shërben, e njëjta që e ktheu në detyrë edhe pse kryebashkiaku ka 13 akuza mes të cilave; korrupsion, fshehje pasurie, dhe pastrim parash, teksa Kushtetuesja ka urdhëruar Gjykatën e Lartë që ta rishohë masën e arrestit me burg, pra i ka dhënë Sadushit mundësinë që të veprojë tanimë sipas motivit partiak dhe miqësisë personale me Veliajn.
"Ky vendim, nuk është një zhvillim i mirë për vendin. Është një dritë jeshile për korrupsionin e abuzimin me detyrën. Korrupsioni dhe abuzimi me detyrën janë plagët e mëdha që ka sot Shqipëria, të vëna në dukje jo vetëm nga partnerët dhe nga Brukseli, por sidomos nga dëmi që kjo i ka sjellë ekonomisë dhe interesit publik. Erion Veliaj është kryebashkiaku më i kopurruptuar në historinë e Tiranës si kryeqytet dhe lehtësimi i tij, vënia e kupolës së drejtësisë në dispozicion është shenjë e kapjes së shtetit, e ndikimit të drejtësisë. Është një tjetër goditje që i jepet SPAK e punës që kjo strukturë e posaçme ka bërë në rastin e Veliajt", thekson ndër të tjera Këlliçi.

Këlliçi argumenton se vendimi vjen në një kohë kur korrupsioni po mbrohet nga Edi Rama me votë në Kuvend, ku po instalohet në vend një paprekshmëri për qeveritarët e bashkëpunëtorët e Kryeministrit, e ndëersa Shqipëria shkon nesër në tryezën ndërqeveritare me BE-në në Bruksel, duke shkelmuar sërish një kërkesë të theksuar në mënyrë të përsëritur për integrimin, siç është lufta ndaj korrupsionit dhe barazia para ligjit.
Në fund, deputeti shton se Veliaj mund të kapë kupolën e drejtësisë, po ai nuk do të mundet asnjëherë të çlirohet nga zullumi e abuzimi me detyrën, në kurriz të besimit dhe interesave të qytetarëve të Tiranës.

