Integrimi/ Bushati krahason Shqipërinë me Malin e Zi: Raportet tregojnë diferencë të madhe

Analisti Andi Bushati, në ‘Çim Peka Live’ , tha se qeveria po e cilesonte si një fitore të madhe, me pretendimin se rruga drejt BE-së nuk është bllokuar dhe vendi po ecën përpara me hapjen e kapitujve.

Teksa bëri një krahasim mes raporteve të Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe atij për Malin e Zi, Bushati tha se dallimet tregojnë një realitet të zymtë, ku raporti për vendin fqinj është jashtëzakonisht më i butë dhe me një gjuhë teknike, ndërsa ai për Shqipërinë përdor një ton thellësisht politik.

Përparimi ekonomik apo tregtia e lirë nuk mjaftojnë më për të ecur përpara, theksoi analisti, duke shtuar se respektimi i shtetit të së drejtës, pavarësia e gjykatave dhe prokurorisë janë kthyer në kritere bazë, ku çdo hap mbrapa sjell rreziqe serioze për procesin e anëtarësimit.

Edhe pse në letër, Shqipëria nuk është e bllokuar zyrtarisht, Bushati shprehet se kjo nuk përkthehet në një sukses apo kalim të klasës.

“Të dyja palët i kanë folur militantëve të tyre duke i thënë dy gjysmë të vërteta po dy gjysmë të gënjeshtra. Për shembull Rama thotë, s’na bllokuan dot, nuk na ngrinë, ecëm para. Tani jemi gati për të hapur kapitujt. Berisha këtë nuk e përmend fare që Shqipëria u bllokua, që çështja Balluku nuk qe ashtu siç kujtonim dhe ne një pengesë e panegociueshme, por thotë shih gjithë këto kushtet që thatë ju këtu dhe kushtet në fakt janë shumë të forta. Për t’u qartësuar vetëm bëra një krahasim.

Mora raportin e IBARR për Malin e Zi, i cili e ka kaluar këtë fazën e IBARR-it që ne e zgjatëm tre muaj për dy javë që në 24-ën. Pra pa probleme. Dhe atë që ndodhi me neve. Po të lexosh raportin e IBARR për Malin e Zi, është jashtëzakonisht më i butë, me gjuhë më teknike, e tjerë e tjerë. Po të shohësh këtë tonin është thellësisht politik. Atë që thoshte kronika për korrupsionin, për patronazhistët, për sulmet ndaj drejtësisë e të gjitha e të gjitha. Kjo natyrisht ndodh se ne jemi më keq. Por ndodh dhe për një proces tjetër, për ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit të Bashkimit Europian.

Bashkimi Europian çfarë ka bërë që pas pranimit të metodologjisë së re? Kriteret politike janë bërë më të rëndësishme. Pra nuk të sheh vetëm si e ke ti tregtinë e lirë, si, si të shkon ty ekonomia. Por ti mund të bësh hapa pas dhe regres dhe të ngrihesh në qoftë se ti nuk respekton zbatimin e ligjit, gjykatat, prokurorinë e tjerë e tjerë. Dhe këto janë gjërat që e kanë rënduar Shqipërinë. Atëherë kush, kush na thotë të vërtetën në fund? Edi apo Saliu? Midis, unë gjeta këtë formulë që më duket më, më afër të vërtetës. Po, Shqipëria nuk është e bllokuar, procesi nuk ka ngrirë. Ne do e mbajmë konferencën ndërqeveritare. Por ama, për të mos na bllokuar fare, çfarë ka gjetur Bashkimi Europian në bashkëpunim me vendet anëtare?

Kanë gjetur që të gjitha problemet që na mbanin të bllokuara tani, mos i përdornin si bllokazh në këtë moment, por t’i transferojnë në negociatat për kapitujt. Pra problemet ngelen, i është dhënë Shqipërisë një okej për të thënë vetëm kaq, tani edhe situata gjeopolitike, Evropa nuk është kundër zgjerimit. Por asnjë nga problemet nuk është fshirë. Dhe prandaj ndonëse e paemër, Balluku gjendej prapë në IBARR, sulmet e Ramës kundër SPAK-ut gjendeshin prapë në raportin e IBARR-it, gjë që nuk gjendeshin kurrë te raporti i 2024-ës për Malin e Zi. Pra thjesht, nuk na kanë bllokuar tani, por nëse s’i korrigjojmë këto gjëra, thjesht kanë shtyrë bllokimin për më vonë.”