Nga triumfi në Durrës te negociatat me BE/ Rama: Shqipëria nesër hap fazën përmbyllëse të integrimit

Kryeministri Edi Rama në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Durrës, vlerësoi rezultatin e arritur nga socialistët në këtë qark gjatë zgjedhjeve të fundit.

Rama e cilësoi degën e PS në Durrës si një model organizimi dhe fitoreje, duke falënderuar strukturat dhe mbështetësit për angazhimin në terren.

Ai tha se rezultatet nuk vijnë rastësisht, por janë produkt i punës së vazhdueshme dhe organizimit të partisë në çdo nivel.

Në fjalën e tij, kryeministri kujtoi se Partia Socialiste në Durrës përmendet shpesh si shembull edhe në takime të tjera politike, për mënyrën se si është organizuar dhe për rezultatet që ka arritur ndër vite.

Rama u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke kujtuar se nesër në Bruksel mbahet konferenca ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e konsideruar një hap i rëndësishëm në negociatat për anëtarësim.

“Ndodh shpesh që në takimet tona ne ta sjellim si shembull Partinë Socialiste të Durrësit. Për këtë shembull që Durrësi ka krijuar, dua t’i falënderoj absolutisht të gjithë.”-u shpreh Kryeministri.

Ai tha se konferenca e nesërme pritet të vulosë përmbylljen e fazës hyrëse dhe hapjen e fazës përmbyllëse të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Sot është dita përpara konferencës ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në Bruksel, ku do të vuloset përmbyllja e fazës hyrëse dhe hapja e fazës përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.”-u shpreh Rama.