Bisedimet Kosovë-Serbi

Kosova dhe Serbia po vazhdojnë diskutimet mbi rrugët e organizimit të zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë, përfshirë edhe komunat veriore të saj të banuara me shumicë serbe.Zgjedhjet që do të mbahen më tre nëntor, në veri do të organizohen dhe mbikëqyren nga misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ndërsa bisedimet që po zhvillohen aktualisht në Bruksel ndërmjet grupeve të punës të të dyja palëve synojnë sqarimin e hollësive rreth mënyrës së votimit në veri, përdorimit të dokumenteve si dhe të votimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vendet e rajonit me statusin e refugjatit.Një tjetër pikë e takimit të djeshëm në Bruksel ishte edhe aspekti i informimit dhe sensibilizimet me qëllim të pjesëmarrjes sa më masive të qytetarëve të Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës ku për herë të parë qytetarët serbë të asaj pjese do të votojnë për institucionet legjitime të shtetit të Kosovës.Në këtë kuadër është me rendësi të veçantë informimi për metodën e votimit nga jashtë Kosovës përfshirë për personat e zhvendosur, KQZ në bashkëpunim të OSBE-së janë dakorduar që të organizohen fushata informuese për procedurat e votimit dhe pjesëmarrjen në zgjedhje.Sa i përket listës së votuesve pala kosovare ka njoftuar se ajo është duke u finalizuar dhe se do të jetë gjithëpërfshirëse dhe synon në ofrimin e të drejtës për të marrë pjesë në zgjedhje të gjithë qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote dhe pa dallime sipas ligjit në fuqi të Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare.Delegacioni i Kosovës në këtë takim përbëhej nga Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës, si dhe nga Qemajl Marmullakaj, Gazmir Raci dhe Abedin Mehmeti.