Debati për parkun në Shkup, opozita: Gruevski po shkel interesat qytetare
Shkatërrimi i një parku në qendër të Shkupi për të ndërtuar një objekt është shndërruar në një mollë sherri në politikën maqedonase. Kreu i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski ka deklaruar se ai nuk mund të bëjë asgjë, pasi është vendim i qeverisë."Për sa i përket pjesës ligjore, puna është kryer para se të vij unë, fatkeqësisht. Parardhësit e mi bënë këtë krim ndaj natyrës duke prerë pemët e parkut pikërisht në orën 4 të mëngjesit kur u dërgua me urgjencë në komunë Plani Detal Urbanistik. Prej atëherë e gjithë puna është në duart e pushtetit qendror, ndaj dhe Komuna Qendër nuk mund të bëjë asgjë", tha Andrej Zhernovski.Është prononcuar edhe Qeveria, e cila ka mbrojtur vendimin për prerjen e parkut dhe ndërtimin e një objekti për të cilin paguhen miliona euro të qytetarëve që shkojnë për qeranë e tij. Në reagim ndaj deklaratës së Zhernovskit, partia e GRuevskit, VMRO DPMNE-ja ka pyetur kryetarin e Komunës Qendër pse ai nuk refuzoi paratë e taksave komunale, që i sollën Qendrës mbi 9 milionë denarë. Ndërkaq LSDM-ja në opozitë i ka bërë thirrje kryeministrit Gruevski që të dalë dhe të shpjegojë atë qe opozita e konsideron krimin ndaj parkut në Komunën Qendër."VMRO DPMNE po shkel vullnetin e qytetarëve të Qendrës të cilët në zgjedhjet lokale u prononcuan se janë kundër projektit 'Shkupi 2014'. Pushteti po vazhdon luksin në llogari të nevojave elementare të qytetarëve", thuhet në reagimin e LSDM-së.Rreth orës 3 të mëngjesit të së djelës ekipet e parqeve dhe gjelbërimeve, të shoqëruara nga forca policore, prenë pemët e parkut në qendër të Shkupit, për ndërtimin e objektit të ri të Këshillit për Radio Difuzion, i parashikuar në kuadër të projektit Shkupi 2014. Policia shpërndau protestuesit që prej 5 ditësh kishin ngritur tenda në këtë park, në ruajtje të tij nga shkatërrimi.Qytetarët shpjegojnë se prerja e parkut është siguruar nga një numër i madh forcash policore, duke filluar që nga njësitet Alfa e deri tek forcat speciale për ndërhyrje të shpejtë. Protestuesit shpjegojnë se ndaj tyre është përdorur edhe dhunë fizike, dhe u janë marrë celularë e aparate fotografike me qëllim që ngjarja të mos filmohet.