Video e burgut të Fushë Krujës e publikuar nga Berisha/ Drejtoria e burgjeve: Nuk ekzistojnë ambiente të tilla në institucion
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar lidhur me një pretendim të publikuar së fundmi nga Sali Berisha, për një video që sipas tij paraqet ambiente brenda IEVP Fushë-Krujë.
Në reagim thuhet se pamjet e shpërndara nuk janë të vërteta dhe nuk përfaqësojnë asnjë ambient të brendshëm të këtij institucioni.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, në institucionet penitenciare nuk lejohen dhe nuk ekzistojnë ambiente ku mund të tolerohen sende të ndaluara, përfshirë alkoolin.
Autoriteti i burgjeve vlerëson se publikime të tilla synojnë të krijojnë keqinformim dhe të dëmtojnë imazhin e sistemit penitenciar.
Në të njëjtën kohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se gjatë periudhës së fundit janë shtuar kontrollet e befasishme dhe masat parandaluese në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit, me qëllim parandalimin e shkeljeve dhe forcimin e sigurisë.
Institucioni pranon se ka ende sfida në sistem, por shpreh angazhimin për përmirësimin e mëtejshëm të situatës dhe respektimin e rregullave.
Gjithashtu, Drejtoria e Burgjeve nxit qytetarët dhe institucionet të denoncojnë çdo shkelje, ndërsa kërkon kujdes në shpërndarjen e materialeve të paverifikuara që mund të ndikojnë në opinionin publik dhe punën e institucioneve.

