Qirinj dhe një minutë heshtje në Durrës për dy vogëlushët e aksidentit fatal

Qirinj dhe një minutë heshtje në Durrës për dy
Një grup banorësh nga zona e Kënetës në Durrës janë mbledhur para Bashkisë së qytetit për të nderuar dy fëmijët që humbën jetën në aksidentin e së dielës.

Ata kanë ndezur qirinj në shkallët e bashkisë dhe kanë mbajtur një minutë heshtje në kujtim të dy të miturve, 9 dhe 12 vjeç, të cilët ndërruan jetë tragjikisht teksa ndodheshin pranë banesës së tyre.

Më herët, një karvan makinash u drejtua drejt bashkisë dhe për pak kohë bllokoi një nga korsitë e qarkullimit në aksin pranë sheshit “Liria”, para se qytetarët të mblidheshin në hyrje të institucionit për homazhe.

Banorët kanë shprehur dhimbjen dhe tronditjen për ngjarjen, duke kërkuar më shumë kujdes dhe siguri për fëmijët në zonë.