Apeli në kolaps/ KLGJ pranon situatën alarmante: Harta e gjyqësorit mund të rishikohet
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) pranon se sistemi i drejtësisë në vend po përballet me vështirësi, sidomos në nivelet e apelimit, ndërsa thekson se harta e re gjyqësore nuk është një dokument i pandryshueshëm, por një instrument dinamik që mund të rishikohet në varësi të nevojave reale.
Në një përgjigje zyrtare për një kërkesë për informacion, KLGJ sqaron se harta e re gjyqësore është hartuar mbi bazën e një analize funksionale, me synim rritjen e efikasitetit, balancimin e ngarkesës mes gjykatave dhe unifikimin e praktikës gjyqësore në rang kombëtar. Riorganizimi territorial i gjykatave, i miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave në korrik 2022, ka nisur të zbatohet gjatë vitit 2023.
Megjithatë, institucioni pranon se aktualisht sistemi ndodhet ende në një fazë tranzitore. Ngarkesa e lartë në gjykata lidhet kryesisht me vakancat dhe procesin e reformës në drejtësi, dhe jo domosdoshmërisht me vetë strukturën e hartës së re.
Problematikat janë më të theksuara në gjykatat e apelit, ku mungesa e gjyqtarëve mbetet sfidë kryesore. Aktualisht, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm funksionon me 42 gjyqtarë nga 78 të parashikuar, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit ka vetëm 15 nga 22 gjyqtarë në organikë.
Për të përballuar situatën, KLGJ ka ndërmarrë disa masa, përfshirë:
Gjithashtu, janë miratuar strategji dhe plane konkrete për uljen e çështjeve të prapambetura dhe rritjen e efikasitetit të sistemit për periudhën 2024–2027.
Një nga mesazhet kryesore të KLGJ është se harta gjyqësore nuk duhet parë si përfundimtare. Sipas institucionit, ajo do të rishikohet periodikisht, të paktën çdo pesë vjet, në bazë të zhvillimeve në sistem, ngarkesës së gjykatave dhe burimeve njerëzore në dispozicion.
Ndërkohë, të dhënat e plota mbi çështjet e prapambetura dhe performancën e gjykatave për vitin 2025 janë ende në proces përpunimi dhe pritet të publikohen pas përfundimit të analizës, brenda prillit 2026.
KLGJ e konsideron këtë periudhë si një fazë përshtatjeje, duke theksuar se stabilizimi i plotë i sistemit kërkon kohë, burime dhe vijimësi në reformat e ndërmarra. Sipas të dhënave zyrtare, pas zbatimit të hartës së re gjyqësore, sistemi funksionon me një numër të reduktuar gjykatash në rang vendi.
Në total janë 16 gjykata: 13 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, 1 Gjykatë Apeli e Juridiksionit të Prgjithshëm dhe një Apel Administrativ me seli në Tiranë dhe 2 gjykata administrative të shkallës së parë një në Tiranë një në Lushnje. /Weblajm

