(VIDEO) ATENTATI NDAJ ÇIFTIT MUJECI NË LEZHË/ E mbuluar me kashtë, gjendet makina e autorëve. Sekuestrohen provat

Policia në Lezhë po vijon hetimet për atentatin e ndodhur më 26 prill 2026 në fshatin Balldren, ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci.

Gjatë veprimeve hetimore, në fshatin Torovicë është gjetur një automjet tip “Volkswagen Polo” pa targa, i dyshuar se është përdorur nga autorët e ngjarjes.

Brenda tij janë sekuestruar edhe dy gëzhoja, ndërsa mjeti rezulton me dëmtime në xhamat e pasmë.

Në të njëjtën banesë është gjetur edhe një tjetër automjet i ngjashëm me targa, që dyshohet se është përdorur për të fshehur gjurmët e krimit. Po ashtu, janë sekuestruar edhe veshje të dyshuara si të përdorura gjatë atentatit dhe një palë targa.

Sipas hetimeve paraprake, një nga personat e dyshuar ka marrë një automjet me qira dhe më pas e ka përdorur për t’u prerë rrugën viktimave dhe për të qëlluar ndaj tyre. Pas ngjarjes, mjeti është fshehur në një banesë në Torovicë.

Policia ka shpallur në kërkim një 22-vjeçar nga ky fshat, ndërsa ndaj babait të tij është nisur procedim penal. Hetimet po vijojnë për identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë.

Shërbimet e Policisë po zhvillojnë kontrolle në terren, ndërsa materialet i janë kaluar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.