Nga sherri te pagesa për vr*sjen, dosja kriminale e Ervin Matës që u arrestua në Brazil
Emri i Ervin Matës u lakua në ngjarjen e tetorit 2018, ku në një nga lokalet e zonën së ish-Bllokut në Tiranë, u regjistrua një përplasje me armë.
Në atë kohë Ervin Mata u akuzua se ishte në qendër të konfliktit me Ervis Martinajn, ky i fundit rezulton i zhdukur prej disa vitesh.
Në atë ngjarje mbeti i vrarë truproja i Martinajt, Fabjol Gaxha, ndërsa Martinaj dhe Eljon Hato u plagosën. Prokuroria akuzoi si autor ish-komandon Marviol Bilon.
Konflikti dyshohet se kishte nisur më parë ku ishte përfshirë dhe këngëtarja Elvana Gjata. Pak ditë pas incidentit palët u gjendën në të njëjtin lokal ku nisi fillimisht konflikti fizik dhe më tej përdorimi i armëve.
Konflikti dyshohej se lidhej me një ngarkesë kokaine të kartelit Bello. Mata u arratis për rreth 5-6 muaj, dhe më pas vetëdorëzua në prill 2019. Ai u la i lirë nga gjykata dhe më vonë u lirua nga akuzat për atë ngjarje edhe pse prokuroria e apeloi vendimin.
Në nëntor të vitit 2023, SPAK lëshoi urdhërarrestin ndërkombëtar për Ervin Matën si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar që operonte në trafikun e kokainës nga Amerika Latine si Brazili, Bolivia, Kolumbia drejt Europës, në vende si Gjermania, Holanda dhe Spanja.
Mata dyshohet për dërgesa të mëdha kokaine, përfshirë një ngarkesë prej 240 kg të kapur në Frankfurt, të Gjermanisë dhe pjesë e konfiskimeve më të mëdha si 446 kg në Holandë dhe 69 kg në Brazil.
Akuzat shtrihen edhe në mbështetje të elementëve korruptivë në polici si dhe te planifikimi i vrasjeve dhe bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit.
SPAK ka hetuar edhe rreth 40 persona të afërm të tij për lidhje me grupin.
Hetimet u plotësuan dhe nga bisedat e zbuluara në aplikacionin SKYECC. Sipas dosjes së SPAK, në komunikimet mes Ervis Martinajt dhe Behar Bajrit, ky i fundit e njofton se Mata kishte vënë një shumë prej 5 milionë eurosh për vrasjen e Martinajt dhe Dizdarit.

