Sadusho-drejtësia në leksione dhe praktikë

Në një takim të përbashkët të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, në rolin e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka mbajtur një fjalim propagandistik, në variantin: “Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”, apo dhe më keq akoma, në rolin e një “Shvejku”, “ku di unë, se ç'bëj unë".

Sadushi ka thënë se: “vlerësimi etik dhe profesional i magjistratëve nuk është formal, por mekanizëm thelbësor për meritokracinë, karrierën dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë”.

Në fakt, të gjithë magjistratët që janë sot në sistemin e drejtësisë kanë kaluar nëpërmjet një vetingu, ndërkohë që Sokol Sadushi nuk e ka bërë këtë. Kjo mjafton që leksionet e Sadushit të quhen estradë.

Për tepër ai ishte një nga ekspertët e Reformës në Drejtësi dhe sipas praktikës ligjore dhe kushteve që u vendosën në atë kohë, njerëzit që do të hartonin reformën nuk do të përfshiheshin në sistem.

Disa prej tyre janë përfshirë. Një prej tyre është Sokol Sadushi, i cili doli nga dritarja dhe hyri nga dera. Nga drejtësia, nga gjyqtar shkoi drejtues Magjistrature dhe më pas kryetar i Gjykatës së Lartë.

Më tej Sadushi theksoi se vlerësimi në kohë ndikon drejtpërdrejt me emërimet në detyrë, lëvizjet, transferimet, komandimet.

Vonesat nuk janë problem administrativ” thotë, “por ndikojnë në vakancat dhe funksionimin e gjykatave e prokurorive”. A thua se nuk e di këtë njeri? A nuk e dinë në KLGJ? Po ku t'i gjejnë, kë të vënë? Ky është një fakt që dihet se ka vonesa me emërimet, KLGJ-ja ka problematika, aq magjistratë dalin, ata që dalin emërohen.

Problemi në thelb, në çështje dhe dosjet kapicë janë te Reforma në Drejtësi, në mënyrën se si u shpërndanë gjykatat, në mënyrën se si u shkrinë ato, dhe këtë e ka bërë edhe Sokol Sadushi me dorën e tij. Që në fund i dha një rezultat: e bëri kryetar të Gjykatës së Lartë.

Sadushi na thotë se Reforma në Drejtësi, që ai e di mirë, synoi edhe krijimin e institucioneve të reja. Nuk synoi vetëm krijimin e institucioneve të reja, por ndryshimin e mënyrës se si vetëqeveriset, promovon, kontrollon dhe mban përgjegjësi. Ai theksoi se institucionet e reja nuk mund të përsërisin dobësitë që karakterizuan të kaluarën.

A thua e ka thënë Sadushi këtë fjalë?

A ka mbajtur dhe a po mban ndonjë përgjegjësi kryetari i Gjykatës së Lartë, i cili në mënyrë “të dhunshme”, rreth 12 orë para se Kolegji Penal i kësaj gjykate të jepte një vendim për çështjen e Begtash Zenelit, ndërhyri me një vendim të ndërmjetëm?

Pikërisht në atë çështje, në mbi 20 mijë dosje, shkoi e gjeti dhe e hapi, dhe mblodhi Kolegjet e Bashkuara me shumicë gjyqtarë, civilistë dhe administrativë, të vendosin për një çështje penale për të ndryshuar vendimin e 2011-ës.

Pse e bëri Sokol Sadushi? Dhe pse në këtë moment? A mban përgjegjësi Sokol Sadushi?

Njeriu i Mero Bazes, ky i fundit e provoi me mesazhe, me fakte.

Ka ndërhyrë pranë CNA-së për Sokol Sadushin, për materialet e publikimit të pasurive të këtij të fundit gjatë kohës që ky ishte drejtues Magjistrature. Dhe përdor edhe parullën se “institucionet e reja nuk mund të përsërisin dobësitë që karakterizuan sistemin para reformës”.

Para reformës Sokol Sadushi ishte, reformën

Sokol Sadushi e bëri, pas reformës Sokol Sadushi është.

“Dobësia” është në sistem, e ka emrin Sokol Sadushi, apo Sadushë të tjerë.

“Sadusho-drejtësi” mund të quhet për ata që kanë hallin e dobësive.

Ka hallin e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, ka hallin e vlerësimit etik-profesional, ka hallin për funksionimin real të gjykatave.

Halle të mëdha ka Sokol Sadushi. Po a është ky Sadush që e bëri këtë reformë? A është ky Sadush që përfitoi nga kjo reformë? A është ky Sadush që ndërhyn dhunshëm duke shfrytëzuar hapësirat dhe duke goditur Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë?

Mjerë “Shvejku” i shkretë!/CNA