STERILIZIMI/ GJKKO i pranon kërkesën, Ilir Beqaj jashtë kafazit në seancën e radhës!
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj do të qëndrojë jashtë kafazit në senacën e radhës për gjyqin e Sterilizimit. Vendimi u mor sot nga GJKKO pas kërkesës së Ilir Beqajt, i cili në këtë proces ka vetëm masën detyrim paraqitjeje, ndërsa masa arrest me burg i është caktuar për procesin tjetër, atë të abuzimit me fondet e BE në SASPAC.
Treshja e gjyqtarëve, Rudina Palloi, Irena Gjoka dhe Erion Çela vlerësoi se, për shkak të numrit të ulët të pjesëmarrësve, faktit që ka vetëm një të pandehur, sjelljes së të pandehurit, si dhe faktit që në këtë proces nuk ka masë “arrest me burg”, Ilir Beqaj mund të qëndrojë pranë avokatëve të tij në sallë. Gjykata urdhëroi gjithashtu njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.
"I pandehuri Ilir Beqaj hetohen nën efektin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Paraqitja e të pandehurit në kushtet e izolimit vjen për shkak të një mase tjetër, që është në funksion të një çështje tjetër penale. Në këtë kontekst, ne nuk kemi asnjë kundërshtim nëse ai do paraqitej në gjendje jo izolimi. Ndoshta do ishte e nevojshme një vendim i caktimit të masës “arrest në burg” ndaj Ilir Beqaj", tha Prokurori Edvin Kondil.
Seanca shtyhet për në datën 21 maj, në orën 09:00, në mënyrë që Ilir Beqaj të jetë i pranishëm pranë avokatit të tij gjatë paraqitjes së kërkesave të tjera.
Ndërkohë, mbrojtja e Beqajt do të kërkojë edhe pushim të çështjes dhe pritet vendim nga GJKKO.

