DOSJA "URA"/ GJKKO 'nxjerr' nga qelia Edison Gjokën dhe Behxhet Memën
GJKKO ka dhënë vendimin për tre persona të akuzuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Çështja ishte ngritur nga Prokuroria e Posaçme dhe është gjykuar me procedurë të shkurtuar.
Sipas vendimit, i pandehuri Edison Çukaj alias Gjoka është shpallur fajtor dhe është dënuar fillimisht me 1 vit e 6 muaj burg, i cili pas uljes së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar është reduktuar në 1 vit burgim.
Gjykata ka vendosur gjithashtu heqjen e masës së arrestit në burg për të, pasi koha e paraburgimit është më e madhe se dënimi i dhënë.
I pandehuri Ervis Deti është dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, pas uljes së dënimit nga 2 vjet burg që ishte dhënë fillimisht.
Edhe Bexhed Mema është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg, por gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg. Ai do të jetë në provë për 2 vite e 8 muaj dhe do të jetë nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale.
Në vendim është përcaktuar gjithashtu që të tre të pandehurve u hiqen masat e sigurimit dhe u kthehen disa sende personale, përfshirë aparate celularësh të sekuestruara gjatë hetimit.

