KRIMINALE/ I pandehuri i SPAK-ut, Plarent Ndreca kërcënon gjyqtarët e GJKKO-së dhe prokurorët e SPAK-ut?!
I pandehuri i SPAK-ut, Plarent Ndreca, i akuzuar për veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, i cili në fakt ushtron edhe detyrën e avokatit të të pandehurit tjetër, Erion Veliaj, me 13 akuza për 5 vepra të rënda penale, sot ka dalë me një qëndrim publik, ku më shumë sesa deklarata e radhës, deklarimi i tij publik duket si një kërcënim i hapur ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Në fund të njoftimit për mediat të të pandehurit-avokat, Plarent Ndreca, ka një fjali:
“Pa këto kushte” – kërcënon i pandehuri Plarent Ndreca,– “çdo përpjekje për të hequr pataten e nxehtë apo për të larë duart si Ponç Pilati do të dështojë dhe përgjegjësia dikur, diku, ndaj dikujt do të kërkojë adresën e saj”.
Çfarë është kjo fjali? Një kërcënim. Kërcënim ndaj kujt? Kush është “patatja e nxehtë”?
Çështja e Veliajt nuk është një “patate e nxehtë”, është një i pandehur me 13 akuza. Pse humbi disa kërkesa në gjykatë? Ajo është që jep vendimin, nuk e jep dot avokati, as prokurori.
“Të lahen duart si Ponç Pilati”
Kush po i lan duart si Ponç Pilati? Me kë po përballet Erion Veliaj? Ponç Pilati kishte Krishtin dhe një hajdut përballë. Çfarë është Veliaj? Hajduti apo Krishti? Krisht nuk është, kjo është e sigurt. Me akuza 13 akuza të rënda penale, po. Kush është Ponç Pilati? Gjyqtarët? Kush është Ponç Pilati? Prokurorët? Kush është Ponç Pilati, tjetër? Ndaj kujt i adresohet ky kërcënim me “patate të nxehtë” dhe Ponç Pilatin?
“Do të dështojë dhe përgjegjësia”, shkruan Ndreca, “dikur, diku, ndaj dikujt”, pra në një kohë në të ardhmen, në një vend, ndaj një individi – “do të gjendet adresa e saj”.
Cila është adresa? Adresa e përgjegjësisë. Përgjegjësia për çfarë? Se mund të dënohet Veliaj? Dhe përgjegjësinë e adreson i pandehuri Ndreca edhe me kohë e vend e person?
“Çdo përpjekje për të hequr pataten e nxehtë apo për të larë duart si Ponç Pilati do dështojë dhe përgjegjësia dikur, diku, ndaj dikujt do të kërkojë adresën e saj”.
Kjo fjali është një kërcënim i drejtpërdrejtë, me forma fjalësh të ndërtuara me mesazh të qartë.
“Patatja e nxehtë në duart e Ponç Pilatit” që do të gjejë përgjegjësinë dikur, diku, ndaj dikujt dhe do t’i gjendet edhe adresa”.
Pra, dikush do të japë një vendim, dikush do të dënohet, dikush do të mbajë përgjegjësi përpara ligjit, por atij do t’i gjendet adresa.
Dhe ky nuk është një kërcënim vetëm për trupën e djeshme gjykuese, e cila pranoi gjykimin e shkurtuar, që ka tërbuar Plarent Ndrecën dhe të burgosurin në burgun e Durrësit, por për gjyqtarët e tjerë që do të vazhdojnë.
Ky është një KRIM.
Kërcënohet drejtësia nga një i pandehur që quhet Plarent Ndreca, nga një ish-deputet i Partisë Socialiste, një ish-këshilltar i Këshillit Bashkiak të Partisë Socialiste, i cili gjen kurajën pas një vendimi gjykate të drejtojë një mesazh kërcënues ndaj gjyqtarëve, ndaj prokurorëve, ndaj kujtdo tjetër që është i përfshirë në çështjen e hetimit ndaj Erion Veliajt.
SPAK-u duhet të fillojë hetimet.
Ky është një rast flagrant, përtej faktit që është një i pandehur dhe minimalisht nuk duhet të ushtronte detyrën sipas ligjeve në BE, por në Shqipëri pa një vendim të formës së prerë vazhdon të jetë avokat, edhe pse i pandehur.
Ky i pandehur kërcënon për gjetjen e përgjegjësisë në të ardhmen ndaj atij që do të japë vendimin për pataten e nxehtë. Dhe më shumë se qëndrim ky është kërcënim. Kështu u sollën, kështu vepruan, kështu kërcënuan me mashtrime prokurorin Ols Dado, gjyqtarin Erion Bani, gjyqtarin Engert Pëllumbi.
Me shantazhe dhe shkrime që bëheshin nga mediat, ndërsa tani ka dalë në mënyrë të hapur Plarent Ndreca, i pandehur i SPAK-ut që mbron të pandehurin Erion Veliaj dhe jep mesazhe me qëndrime kërcënuese ndaj sistemit të drejtësisë./ CNA


