SHKELJE SIGURIE NË NDËRTIME IKMT gjoba dhe pezullim punimesh për 65 kantiere pas kontrolleve
IKMT thotë se 65 subjekte janë ndëshkuar me gjoba ose pezullim punimesh për shkak të shkelje sigurie në kantiere ndërtimi. Inspektimet po shtrihen gradualisht në të gjithë vendin.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit njoftoi se 65 subjekte janë ndëshkuar deri tani me gjobë dhe vendime për pezullim punimesh, në kuadër të masave që po ndërmerren për respektimin e sigurisë teknike në kantiere.
Në territorin e Bashkisë së Tiranës janë verifikuar në total 219 objekte ndërtimi, prej të cilave 41 me leje nga KKT dhe 178 objekte me leje nga njësia vendore.
Në përfundim të rikontrollit, në 45 kantiere ka rezultuar se nuk janë marrë masat e nevojshme, ndaj është proceduar me vendosjen e gjobave dhe pezullimin e punimeve, sipas një njoftimi për mediat.
Në zonën e Golemit, pjesë e Bashkisë së Kavajës, janë verifikuar në total 73 subjekte, prej të cilave 4 me leje nga KKT dhe 69 me leje nga njësia vendore. Tetë subjekte janë ndëshkuar me gjobë dhe vendim për pezullim punimesh.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit thekson se kontrollet janë shtrirë tashmë edhe në territorin e Bashkisë së Vlorës dhe asaj të Himarës.
Në Vlorë, deri tani janë inspektuar gjithsej 32 objekte ndërtimi, nga të cilat 11 janë të pajisura me leje ndërtimi të lëshuara nga Bashkia Vlorë dhe 21 objekte me leje të miratuara nga KKT. Në 12 raste janë vendosur gjoba dhe janë marrë vendime për pezullim punimesh.
Në territorin e Bashkisë Himarë rezultojnë gjithsej 71 subjekte të pajisura me leje të miratuara nga KKT, të cilat janë planifikuar për t’u inspektuar. Deri në këtë fazë janë inspektuar 14 subjekte.
IKMT thekson se respektimi i detyrimeve ligjore për sigurinë teknike në kantiere mbetet një objektiv parësor i punës dhe se kontrollet do të shtrihen gradualisht në të gjithë territorin e vendit.
