Eksperti: AKSK në dispozicion 24/7 për incidentet kibernetike
Në emisionin Epiqendër, të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, u diskutua këtë të enjte mbi rrezikun në rritje të mashtrimeve online dhe nevojën për ndërgjegjësim në përdorimin e teknologjisë.
I ftuar në studio ishte eksperti i sigurisë kibernetike pranë Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Egli Lilo, i cili theksoi se në epokën digjitale, rreziku i klonimit të adresave në rrjetet sociale dhe përdorimit të tyre për qëllime keqdashëse është gjithnjë e më i pranishëm.
Sipas tij, çdo përdorues mund të bëhet objekt i mashtrimeve përmes profileve të rreme ose faqeve të klonuara, ndaj vigjilenca mbetet thelbësore në përdorimin e platformave online.
Ai shtoi se institucioni ku ai bën pjesë zhvillon vazhdimisht sesione ndërgjegjësuese dhe trajnime, si në formë virtuale ashtu edhe në takime fizike, duke përfshirë grupe të ndryshme të shoqërisë sipas tematikave të sigurisë kibernetike.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet përkatëse për parandalimin dhe menaxhimin e incidenteve kibernetike, duke shtuar se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike është në dispozicion 24 orë në ditë, 7 ditë në javë për trajtimin e rasteve të tilla.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR”
