Mashtrimet online, Egli Lilo: Çfarë ndodh pasi klikoni një link të rrezikshëm

Në emisionin Epiqendër, të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, u diskutua këtë të enjte mbi rrezikun në rritje të mashtrimeve online dhe format gjithnjë e më të sofistikuara që përdorin keqdashësit.

I ftuar në studio ishte eksperti i sigurisë kibernetike pranë Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Egli Lilo, i cili shpjegoi se çfarë ndodh pasi një përdorues klikon në një link të dyshimtë.

Sipas tij, në momentin që linku hapet, përdoruesi zakonisht ridrejtohet në një platformë që duket si zyrtare, por që në fakt është e klonuar ose e krijuar për qëllime mashtruese.

Këto faqe paraqesin informacione bindëse për të fituar besimin e përdoruesit dhe më pas kërkojnë të dhëna personale.

Ai paralajmëroi se mashtrimet nuk kufizohen vetëm në një formë komunikimi, por përhapen përmes kanaleve të ndryshme si SMS, email apo telefonata (voice), duke synuar jo vetëm individë të veçantë, por edhe grupe të caktuara.

Eksperti nënvizoi se këto skema shpesh shfrytëzojnë edhe elementë psikologjikë për të nxitur reagim të shpejtë nga përdoruesit, duke i bërë mesazhet të duken sa më të besueshme dhe urgjente.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR”