Lufta kundër krimit të organizuar, Skënder Hita takim me drejtuesin e lartë italian
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pritur sot (16 prill) në një takim drejtorin e Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor, drejtues i lartë i Policisë italiane, Lorenzo Bucossi.
Sipas raportimeve, në qendër të diskutimeve mes dy drejtuesve ishte jo vetëm forcimi i mëtejshëm i aleancës policore Shqipëri-Itali, por edhe lufta kundër krimit të organizuar.
Hita dhe Bucossi thanë se “bashkëpunimi policor Shqipëri-Itali është një model suksesi në rajon, Ballkan e më gjerë”. Gjithashtu u ra dakord që gjatë sezonit veror dhe turistik të jenë të pranishëm në Durrës dhe Vlorë edhe efektivë të policisë italiane.
“Në fokus të takimit ishte ecuria e bashkëpunimit shumë të mirë ekzistues ndërmjet policive të të dy vendeve. Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita garantoi Drejtuesin e Lartë Lorenzo Bucossi, se marrëdhëniet shumëdimensionale mes dy policive do të forcohen akoma më shumë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit për këtë takim.
Nga ana e tij, Drejtuesi i Lartë Lorenzo Bucossi vlerësoi “gatishmërinë, vendosmërinë dhe vizionin e Drejtor Hitës, për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit” dhe e ftoi atë për një vizitë pune në Policinë italiane.
“Gjatë takimit u diskutuan prioritetet e bashkëpunimit hetimor dhe operacional, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e veprimeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe intensifikimin e masave për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike dhe të trafikimit të lëndëve narkotike”, vijon njoftimi.
Në fokus të takimit ishte edhe vijimi i operacioneve të përbashkëta për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Po ashtu, u theksua rëndësia e “bashkëpunimit gjatë sezonit turistik, për praninë e policëve italianë në Durrës dhe Vlorë, në mbështetje të Policisë së Shtetit”, si dhe “forcimi i bashkëpunimit mes akademive të Policisë, në fushën e trajnimit dhe edukimit policor”.
Në këtë kuadër, u dakordësua që një punonjës i Policisë së Shtetit të ndjekë studimet në Akademinë e Policisë në Itali.
Në takim morën pjesë edhe Drejtori i Departamentit për Policinë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Drejtues i Lartë Pëllumb Seferi, Giuseppe Giliberti, Drejtues i Parë i Policisë së Shtetit të Italisë, si edhe Eksperti për Sigurinë në ambasadën italiane në Shqipëri, Drejtues i Parë i Policisë italiane, Fulvio Manco.

