KUSH IA VURI FLAKËN PALLATIT? Banorët: Të ndryshojë fasada e godinave të tjera! Dëshmon në prokurori administratorja e “Arlis”-it
Banorët e godinave të paprekura në kompleksin e përfshirë nga flakët kërkojnë garanci për sigurinë e tyre. Ndryshimi i fasadave dhe rritja e masave mbeten prioritet për t’iu rikthyer jetesës aty. Ndërkaq prokuroria vijon hetimet duke marr në pyetje administratorin e kompanisë “Arlis”, por dhe duke këqyrur kamerat që filmuan momentin e vënies së zjarrit
“Kjo është gjithçka që ka mbetur pas zjarrit të rëndë që ra dy ditë më parë në kompleksin “Arlis shpk” në Tiranë.
Këto pamje janë nga “Big Market”, aty ku dyshohet se nisën flakët që më tej shkrumbuan të paktën 30 banesa dhe fasadën e një prej kullave të kompleksit”.
Frika dhe pasiguria kanë përfshirë banorët e godinës ngjitur. Përmes mikrofonit të televizioneve kërkojnë garanci për sigurinë dhe jo premtime boshe
Banorët kërkojnë heqjen e menjëhershme të fasadës, të paktën në dy katet e para, për të parandaluar përsëritjen e rastit.
Më tej banorët ngrenë dyshime për masat ndaj zjarrit në kompleks.
Hetimet për zjarrin nisën prej së martës, ndërsa këtë të enjte në prokurori ka dëshmuar për mbi 3 orë administratori i kompanisë “Arlis”. Burimet thanë se në deklarime u tha se ndërtuesi kishte nënshkruar marrëveshjen me nënkontraktorin ku i kishte vendosur detyrim fasadë cilësore rezistente ndaj flakëve.
Hetimet vijojnë dhe për shkakun ku nisën flakët. Nga pamjet filmike rezultojnë dy punonjëse të marketit që dalin dhe hedhin kartonët mbrapa pallatit. Më tej 5 te mitur shfaqen në zonë duke luajtur por ende nuk është e qartë nëse ishin ata që në lojë ndezën zjarr, apo gjithçka ka nisur nga persona dhe veprime të tjera.
Megjithatë prej ditës kur nisën flakët në të gjithë kompleksin mungojnë dritat dhe si pasojë dhe mungesë të furnizimit me energji, çka i vendos familjet në vështirësi për strehim.

