"PLUMBI I ARTË"/ Dëshmia e zv.drejtorit të Policisë Elbasan zbulon lëvizjet sekrete në Rinas dhe hetimin për vr*sjen e Zylyfit

Në Gjykatën e Posaçme po vazhdon procesi për çështjen e njohur si “Plumbi i artë”, ku SPAK ka zbardhur disa ngjarje të rënda kriminale.

Aktualisht, çështja është në fazën e gjykimit dhe në seancë po merren në pyetje dëshmitarë të kërkuar nga mbrojtja.

Në sallë u paraqit zëvendësdrejtori i Policisë së Elbasanit, Krenar Guçe, i cili ka qenë i përfshirë në hetimin e disa prej ngjarjeve.

Dëshmia e tij lidhet me vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e një personi tjetër.

Guçe bëri me dije se i njeh pjesërisht disa nga të pandehurit për shkak të detyrës dhe se ka hetuar disa dosje kriminale.

Për ngjarjen në fjalë, ai tha se është marrë personalisht me hetimin, duke kryer veprime si marrja në pyetje e familjarëve dhe këqyrja e kamerave të sigurisë në Rinas dhe në një hotel pranë aeroportit.

Sipas tij, veprimet janë kryer në vijim të hetimeve dhe mbi bazën e informacioneve që vinin gjatë procesit. Ai përmendi edhe një rast kur, me kërkesë të drejtuesve të policisë, ka verifikuar lëvizjet e një personi të dyshuar, Hajdar Bako, i cili kishte mbërritur në Rinas dhe ishte takuar me një person tjetër, të identifikuar si Armis Stafa.

Guçe tha se për disa prej emrave të përfshirë në çështje ka dijeni nga puna, ndërsa për të tjerë vetëm ka dëgjuar. Ai sqaroi se nuk ka pasur kontakte apo përfitime nga persona të përfshirë në hetim dhe se nuk ka përdorur rrjete të enkriptuara komunikimi.

Sa i takon hetimit për vrasjen e Andi Zylyfit, ai u shpreh se ka zgjatur rreth një muaj dhe në atë kohë nuk kishte emra konkretë si autorë të dyshuar.

Seancat për këtë çështje vijojnë me dëshmitarë të tjerë dhe pritet që procesi të hedhë më shumë dritë mbi ngjarjet e zbardhura nga SPAK.

DËSHMIA E PLOTË:

Guçe: Njoh pjesërisht të pandehurit për shkak të detyrës, pasi unë kam hetuar disa prej dosjeve kriminale. Në lidhje me ngjarjen në fjalë jam marrë unë me hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Nuk më kujtohet fiks çfarë veprimesh kam bërë. Mbaj mend që kam pyetur disa prej familjarëve. Kam bërë disa këqyrje të kamerave në Rinas dhe në një hotel ngjitur për këtë ngjarje. Të gjitha veprimet janë kryer në kuadër të hetimeve. Indicia ka qenë si pasojë e rrjedhjes së hetimeve.

Drejtori Arjan Muço, Alban Çela dhe Leonard Palushi më kanë thirrur dhe më kanë thënë të shkoj në Rinas. Do bësh këqyrje të kamerave për një person kur ka ardhur në Shqipëri. Bëhet fjalë për Hajdar Bako, ka ardhur në mëngjes në Rinas, ka qëndruar në një hotel në Rinas dhe më pas ka ardhur një person tjetër që ka takuar Bakon. Bako ka qenë person i dyshuar për këtë ngjarje. Për Bakon ka pasur informacion operativ për përfshirjen e tij. Leonard Palushi ka bërë veprime për këtë ngjarje.

Erjon Alibej e kam të dëgjuar. Për shkak të hetimeve e kam takuar disa herë në drejtorinë e policisë dhe në banesën e tij, kur kemi bërë veprime hetimore. Nuk kam marrë asnjëherë pagesë apo dhurata nga Alibej.

Nuredin Dumanin e njoh, pasi ka dalë si autor i vrasjes së Bujar Çelës. Nuk kam pasur asnjëherë rrjete të enkriptuara. Talo Çelën nuk e kam takuar asnjëherë. Fatos Gosën nuk e njoh, e kam të dëgjuar si emër. Nuk kam qenë asnjëherë në banesën e tij.

Ngjarjen e vrasjes së Andi Zylyfit e kam hetuar ndoshta një muaj. Për vrasjen e Zylyfit nuk kemi pasur emra konkretë. Alibej e kam takuar me kolegë të tjerë dhe vetëm. Për këtë ngjarje kam dhënë deklarime në SPAK në vitin 2021. Personi që ka takuar Bakon në Rinas ka qenë Armis Stafa.

Me Nuredin Dumanin nuk kam pasur asnjëherë kontakt dhe as nuk kam dhënë asnjë informacion për Oti Kilën. Kam punuar me integritet.