Eksperti i AKSK apel qytetarëve, Lilo: Verifikoni linqet përpara se ti klikoni
Në emisionin Epiqendër, të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, u diskutua këtë të enjte mbi rrezikun në rritje të mashtrimeve online dhe mënyrat se si qytetarët mund të mbrohen.
I ftuar në studio ishte eksperti i sigurisë kibernetike pranë Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Egli Lilo, i cili dha disa këshilla praktike për të shmangur rënien pre e mashtrimeve digjitale.
Lilo theksoi rëndësinë e kujdesit para se të klikohen linket e panjohura, duke sjellë në vëmendje një nga parimet kryesore të sigurisë online, “think twice before you click” (mendohu dy herë para se të klikosh).
“Qytetarët duhet të ndalen dhe të analizojnë me kujdes çdo link që marrin. Duhet parë me vëmendje se ku të çon kjo URL – a është vërtet faqja zyrtare e postës apo një imitim i saj?”, u shpreh ai.
Sipas ekspertit, mashtrimet online po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, duke përdorur faqe që duken identike me ato zyrtare për të mashtruar përdoruesit dhe për të marrë të dhënat e tyre personale apo bankare.
Ai apeloi për më shumë ndërgjegjësim dhe verifikim të çdo informacioni përpara se të ndërmerren veprime të tjera.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR”

