MASHTRIMI BRENDA CALL CENTER-IT/ SPAK çon në gjyq 8 persona për skemën zhvatëse ndaj gjermanëve (EMRAT)
Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 8 persona të akuzuar për mashtrim kompjuterik ndaj shtetasve gjermanë, përmes një skeme të organizuar Call Center-i.
Kërkesa për gjykim është dorëzuar në GJKKO, në kuadër të procedimit penal nr. 42 të vitit 2024. Të pandehurit akuzohen për “mashtrim kompjuterik” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Në listën e të akuzuarve janë Emiljano Sejdillari, Sokol Krasniqi, Rodrigo Guga, Eltion Logu, Tafil Dyrmishi, Lisjane Çulani, si dhe Klejdi Nuka dhe Mateo Llozhi.
Hetimi ka nisur pas një kërkese për ndihmë juridike nga Prokuroria e Karlsruhe në Gjermania, pas një rasti mashtrimi ndaj një qytetareje në Freiburg, të cilës i ishte kërkuar një shumë prej 120 mijë eurosh. Autoritetet gjermane arritën të ndalonin transferimin e parave dhe më pas u identifikua rrjeti i dyshuar.
Sipas hetimeve, personat përdornin metoda teknologjike për të fshehur identitetin, si “caller ID spoofing”, “VoIP” dhe “VPN”, duke kryer telefonata mashtruese ndaj qytetarëve në Gjermani. Gjurmimi i IP-ve çoi në identifikimin e lidhjeve edhe në Shqipëri.
Gjatë hetimeve është zbuluar një qendër thirrjesh në rrugën “Hamdi Sina” në Tiranë, ku në prill 2024 janë sekuestruar prova materiale dhe pajisje digjitale.
Dëmi i dokumentuar për 14 viktima në Gjermani arrin në rreth 363 mijë euro, ndërsa shumë tentativa të tjera janë ndaluar në kohë nga autoritetet.
Më herët, për disa nga të dyshuarit janë caktuar masa sigurie “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, ndërsa një prej tyre është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë.

