Zvarritje e çështjeve në gjykata/ Mazrreku: Apelimet shpesh të panevojshme
I ftuar në emisionin Epiqendër, të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, avokati Serjan Mazrreku ka folur mbi proçeset gjyqësore, çështjet civile dhe ato të pronësisë, duke u ndalur veçanërisht te praktika e apelimeve në sistemin gjyqësor.
Gjatë bisedës, avokati theksoi se në shumë raste çështjet administrative dhe pronësore, të cilat përfaqësohen nga avokatët, përfundojnë në favor të qytetarëve dhe shoqërive, duke sjellë edhe shfuqizimin e akteve të institucioneve shtetërore.
Ai u shpreh se pavarësisht vendimeve të gjykatave në shkallën e parë, shpesh institucionet përkatëse, përmes avokatit të shtetit ose juristëve të tyre, i apelojnë vendimet edhe kur pala tjetër ka fituar çështjen.
Sipas tij, kjo ndodh edhe në raste kur përfaqësuesit ligjorë të institucioneve nuk janë paraqitur rregullisht në seancat gjyqësore.
Ai shprehu nevojën për një qasje më efikase dhe më të përgjegjshme në trajtimin e çështjeve gjyqësore nga institucionet publike, në mënyrë që të shmangen zvarritjet dhe proceset e përsëritura që rëndojnë sistemin gjyqësor dhe qytetarët.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR”
