Mashtrim kompjuterik ndaj shtetasve të huaj/ Përfundojnë në pranga 9 persona dhe sekuestrohen 891 mijë euro

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europol, ka finalizuar operacionin e koduar “Ghost Call”, kundër mashtrimeve kompjuterike.

Hetimi ka zgjatur rreth dy vite dhe ka nisur pas një kërkese për informacion nga Austria.

Gjatë këtij procesi është zbuluar një rrjet i organizuar që merrej me mashtrimin online të shtetasve të huaj.

Me vendim të Gjykata e Tiranës janë ushtruar kontrolle në disa ambiente dhe banesa të personave të dyshuar. Në momentin e ndërhyrjes, në këto ambiente janë gjetur operatorë që po ushtronin aktivitetin e paligjshëm.

Në total janë caktuar masa sigurie për 9 persona.

Shtatë prej tyre janë në arrest me burg, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Për dy persona të tjerë është vendosur ndalim i daljes jashtë shtetit dhe detyrim paraqitjeje.

Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë edhe disa persona të tjerë që dyshohet se kishin role drejtuese në këtë aktivitet.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 891 mijë euro, si dhe një numër i madh pajisjesh elektronike, përfshirë qindra kompjuterë, telefona dhe pajisje të tjera që dyshohet se përdoreshin për mashtrim.

Operacioni është zhvilluar në disa ambiente njëkohësisht, një rast i rrallë për këtë lloj veprimtarie në Shqipëri.

Aksioni është koordinuar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë dhe për të zbardhur plotësisht këtë aktivitet kriminal.