PAMJE/ ZJARR I TMERRSHËM pranë QSUT, ministri Lamallari në terren teksa banorët evakuohen
Një pallat pranë QSUT është përfshirë nga flakët këtë të martë, duke krijuar panik te banorët e zonës.
Zjarri ka rënë në një nga katet e godinës dhe është përhapur me shpejtësi, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar të gjithë pallatin dhe zonën përreth.
Sipas pamjeve të siguruara për Ora News, flakët kanë marrë përmasa të mëdha dhe janë të dukshme edhe nga distanca në qytet, ndërsa shtëllungat e tymit janë parë edhe nga periferia e Tiranës.
Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëset dhe po punohet për shuarjen e zjarrit. Ndërkohë ka nisur edhe evakuimi i banorëve për të shmangur rrezikun.
Në terren ndodhet edhe ministri Besfort Lamallari, i shoqëruar nga efektivë të policisë, ndërsa operacioni për neutralizimin e flakëve vijon.
Deri tani nuk ka të dhëna për persona të lënduar. Shkaqet e zjarrit pritet të zbardhen në vijim.
Ky rast rikthen vëmendjen edhe te zjarri i disa muajve më parë në zonën e “5 Majit”, ku u shkrumbua tregu i rrobave të përdorura “Dinamo”.

