Hoxha: Zvarritja e proceseve gjyqësore ndikon direkt në jetën e qytetarëve

I ftuar në emisionin Epiqendër, të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, avokati Arlind Hoxha ka folur mbi problematikat e zgjatjes së proçeseve gjyqësore dhe pasojat që ato sjellin për qytetarët.

Gjatë intervistës, Hoxha solli si shembull një rast konkret të një çifti që kishte kërkuar zgjidhjen e martesës. Sipas tij, gjykata e shkallës së parë kishte vendosur për zgjidhjen e martesës, por çështja ishte apeluar, duke bërë që procesi të zvarritej për disa vite.

Avokati tha se gjatë periudhës rreth pesëvjeçare të pritjes për shqyrtimin në apel, një prej palëve kishte krijuar një jetë të re familjare dhe madje kishte lindur një fëmijë.

Megjithatë, për shkak të statusit ligjor të pazgjidhur përfundimisht, ligjërisht atësia e fëmijës konsiderohet sipas prezumimit të bashkëshortit të mëparshëm.Hoxha theksoi se raste të tilla tregojnë qartë pasojat e rënda që sjellin vonesat në sistemin gjyqësor, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën personale dhe familjare të qytetarëve.

Sipas tij, zvarritja e proceseve gjyqësore krijon situata komplekse juridike dhe emocionale, të cilat mund të shmangeshin nëse çështjet shqyrtoheshin brenda një afati të arsyeshëm kohor.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR”