Territorialja, Bylykbashi: Reforma e 2014-ës, solli decentralizim real, por s'i përgjigjet nevojave të kohës

Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, njëherësh dhe anëtare në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale, e ftuar në emisionin “Drejt” në “Ora News”, të moderuar nga Luan Rama foli mbi këtë reformë ku zbuloi dhe detaje nga diskutimet e deritanishme.

Reforma administrativo-territoriale, e ndërmarrë më shumë se një dekadë më parë, vazhdon të jetë një temë e nxehtë debati publik. Pyetja themelore mbetet nëse ajo i përmbushi objektivat e saj, apo nëse transformoi thelbin e demokracisë vendore duke zëvendësuar të zgjedhurit me të emëruar.

Sipas Bylykbashi, një nga arsyet kryesore të reformës ishte shmangia e fragmentimit të tejskajshëm të qeverisjes vendore. Ajo tha se Shqipëria në atë kohë kishte një numër shumë të madh komunash, të cilat shpesh administronin territore të vogla dhe kishin kapacitete të kufizuara administrative dhe profesionale.

Ideja, tha ajo, ishte që bashkimi i tyre në njësi më të mëdha do të krijonte bashki më të forta dhe më efikase.

Megjithatë, pika më e kontestuar e këtij transformimi është shkrirja e komunave dhe zëvendësimi i tyre me njësi administrative.

Në thelb, kjo solli kalimin nga një strukturë me drejtues të zgjedhur direkt nga banorët e një zone të caktuar, në një strukturë ku administratorët emërohen nga kryetari i bashkisë, i cili zgjidhet në një territor shumë më të gjerë.

Në vijim, ligjvënësja e PS-së, argumentoi se kjo lëvizje e largoi vendimmarrjen nga qytetarët, duke centralizuar pushtetin në duart e kryebashkiakut.

Nga ana tjetër, Bylykbashi theksoi se ajo reformë solli një decentralizim real të kompetencave nga pushteti qendror drejt atij vendor.

Bashkitë e reja morën përgjegjësi të reja dhe u pajisën me aparate administrative më profesionale, të afta për të hartuar politika zhvillimore dhe për të planifikuar në një nivel më të lartë. Njësitë administrative, ndonëse me drejtues të emëruar, shihen si një hallkë e nevojshme për të ofruar shërbime më afër qytetarëve, veçanërisht në zonat rurale.

Aulona Bylykbashi: “Reforma shmangu fragmentimin e tejskajshëm që kishin qeverisja, njësitë e qeverisjes vendore në atë kohë. Mos harrojmë që kishim të bëjmë me një numër shumë të madh të komunave, të cilat qeverisnin sipërfaqe të vogla, por që njëkohësisht kishin edhe stafe që nuk kishin kapacitete shumë të mëdha.

Organet që u zëvendësuan me të emëruar. Nga të zgjedhur u zëvendësuan me të emëruar.

Komunat të cilat u zëvendësuan me njësitë administrative, të cilat janë një hallkë, padyshim të emëruar, por që varen dhe ndjekin politikat e një skuadre njerëzish që kanë profile ëh të plota në fushat e tyre në bashkitë qëndrore.

Pra nga një strukturë e zgjedhur që zgjidhej nga vetë qytetarët, kaluam në një strukturë të emëruar nga kryetari i bashkisë i zgjedhur në një hapësirë territori më të madhe.

Padyshim, por qytetarët zgjedhin kryetarin e bashkisë, zgjedhin edhe anëtarët e këshillave që janë përfaqësues të të gjithë territorit, në të cilën shtrihet ëh shtrihen kufijtë e bashkive.

Dhe përveç pjesës kryesore të aparatit, e cila ka njerëz të cilët janë profesionistë të niveleve të mira në fushat e tyre, që kanë mundësi të zhvillojnë politika zhvillimore dhe të planifikojnë në një nivel më të lartë.

Ne kemi edhe njësitë administrative, të cilat qëndrojnë më afër qytetarëve në zonat rurale dhe që ju përmbushin atyre kërkesat, le të themi ëh që janë më pranë territorit apo kërkesat e tyre të përditshme.

Kështu që në këto kushte themi që reforma e 2014-ës hoqi këtë fragmentimin ekstrem që ekzistonte në atë kohë.

Dhe sigurisht që solli dhe një element tjetër, krijoi baza të qëndrueshme të shërbimeve të ofruara në të gjithë territorin. Pushtetet vendore morën një sërë kompetencash të cilat ju deleguan nga pushteti qendror dhe padyshim ne mund të themi me bindje që ishte një reformë që solli decentralizim.

Pastaj se në çfarë mase ky decentralizim mbeti formal apo solli rezultate në aspekte të ndryshme, kjo është për t'u diskutuar në të gjitha pikëpamjet”.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”