“Nga 2 milionë në 12 milionë vizitorë”/ Rama nga njësia nr.14: Turizmi katërfishohet, investimet huaja 1.5 miliardë euro
Partia Socialiste vijoi procesin e riorganizimit të strukturave të saj në Tiranë, duke u ndalur këtë herë te njësia nr. 14.
Në mbledhjen e Asamblesë ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe drejtuesja politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu.
Rama vuri në dukje se gjatë qeverisjes së PS Shqipëria ka shënuar përparime të dukshme, veçanërisht në turizëm dhe investime të huaja.
Ai tha se numri i turistëve ka kaluar nga 2 milionë në 12 milionë, duke përfshirë edhe turistët me pasaporta të huaja.
Investimet e huaja janë rritur nga 300-400 milionë euro në vit në mbi 1.5 miliardë euro, duke sjellë kështu më shumë para në ekonomi.
Sipas kryeministrit, ky progres ka rritur edhe respektin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke treguar se vendi ka arritur rezultate konkrete dhe jo vetëm fjalë.
“Krijimi i një respekti në arenën ndërkombëtare nuk është çështje thjesht sesi vishesh apo si flet, por është çështje se kë përfaqëson dhe çfarë përfaqëson. Unë besoj se ndryshimi i pozicionit tonë në arenën ndërkombëtare ka ardhur si rezultat i faktit që kemi pasur edhe çfarë të tregojmë, jo thjesht si ta tregojmë. Ne kur kemi filluar këtë punë, Shqipëria kishte 2 milionë turistë, ku numëroheshim edhe ne që ktheheshim nga udhëtimet jashtë shtetit. Pra numëroheshin të gjithë ata që hynin në kufij, pavarësisht se kishin pasaportë shqiptare apo të huaj. Kemi arritur në 12 milionë, me pasaportë të huaj. Në atë kohë mesatarja e investimeve të huaja në Shqipëri ishte 300-400 milionë euro në vit, ndërsa tani kemi kaluar 1.5 miliardë. Të gjitha këto janë para që hyjnë në ekonomi”, tha mes të tjerash kryeministri Rama.

