VIDEO/ "Me derrat mos u ..." - Mediu: Balla sillet si kryetar Kuvendi, sulmon dhe fyen opozitën pa pushim
Deputeti Fatmir Mediu akuzoi gjatë seancës së sotme në Kuvend Taulant Ballën për sjellje provokuese dhe fyese ndaj opozitës, duke theksuar se po sillet si drejtues i seancës dhe jo si kryetar grupi.
Mediu e cilësoi situatën të turpshme dhe i kërkoi kryetarit të Kuvendit të marrë drejtimin e seancës, duke garantuar respekt për deputetët e opozitës.
Fjala e plotë në Kuvendin e Shqipërisë:
Për fatin e keq, ky parlament po zhbëhet edhe për një arsye të thjeshtë: se ai zotëria atje nuk sillet si kryetar grupi, por si kryetar Kuvendi me mesazhet për të provokuar këdo që flet. Dhe këtë e ka në mënyrë të vazhdueshme, për të sharë dhe për të fyer këdo që ai mendon se është kundër linjës së partisë së tij.
Ashtu siç ka bërë me çdo koleg të vetin, që njëherë e fërkon dhe pastaj e pështyn dhe e fyen sa herë që del nga linja e udhëheqjes së partisë.
Jam përpjekur gjithë kohës të mos personalizoj asgjë, por po ju bëj një thirrje ju, kryetar: Merrni ju drejtimin e Kuvendit dhe jo Taulant Balla. Edhe për më tepër kryetar, dua t'ju theksoj edhe një herë që është më se e turpshme sjellja që ndodh në mënyrë të vazhdueshme duke atakuar deputetët apo deputetet e opozitës.
Jam përpjekur t’i rri larg, e them edhe njëherë, debatit sepse kam gjithmonë me vete një shprehje që thotë: "Me derrat mos u zi, sepse bëhesh pis dhe derrave u pëlqen ajo që ndodh".

