2 Prilli u përdhos nga censura në Kuvend, Vokshi: Balla po fyen dhe intimidon gratë e opozitës, kërkojmë përjashtimin

Deputete të Partisë Demokratike kanë dalë në një deklaratë urgjente për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, ku kanë dënuar ashpër atë që e cilësuan si një "akt të turpshëm dhe të paprecedent" nga ana e kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Në fjalën e tyre, deputetet demokrate akuzuan Ballën për fyerje, kërcënime dhe intimidim të vazhdueshëm ndaj grave të opozitës.

"Për të disatën herë, po fyen, po kërcënon, po intimidon gratë e opozitës," u shpreh Albana Vokshi, duke e cilësuar sjelljen e tij si të papranueshme.

Kritikat nuk u kursyen as për kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Sipas opozitës, Peleshi ka provokuar në mënyrë sistematike duke u mohuar të drejtat procedurale deputetëve opozitarë. Konkretisht, ato deklaruan se Peleshi i ka hequr fjalën një deputeteje të opozitës për t'ia kaluar një anëtareje të mazhorancës, një veprim që u konsiderua si një sulm ndaj fjalës së lirë, veçanërisht në një ditë simbolike si 2 Prilli.

Për shkak të këtyre zhvillimeve, grupi parlamentar i PD-së kërkon përjashtimin e menjëhershëm të Taulant Ballës nga seanca plenare. "Seanca duhet të vijojë vetëm pas përjashtimit të tij të menjëhershëm," theksuan deputetet, duke kërkuar gjithashtu që ndaj tij të merret dënimi maksimal. Sipas tyre, në momentin që deputetët e opozitës kanë kërkuar të marrin fjalën, Balla i ka shantazhuar dhe intimiduar. Në përfundim të deklaratës, Vokshi e cilësoi parlamentin aktual si "të kapur" nga persona që, sipas tyre, nuk përfaqësojnë qytetarët, por lidhjet me krimin e organizuar, duke theksuar se "Taulant Balla nuk e ka vendin në këtë parlament".

DEKLARATA E VOKSHIT

Atëherë jemi këtu bashkë me zonjat kolege të Partisë Demokratike, për të dënuar një tjetër akt të turpshëm, të paprecedent, të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të paburrit Taulant Balla, alias 00100, i cili për të disatën herë po fyen, po, ë, kërcënon, po intimidon gratë e opozitës. Është e papranueshme, është e paprecedent ajo çka ndodh në sallat, në sallën e seancave plenare, që duhej të ishte aula e diskutimeve për qytetarët, duhej të ishte në fakt në një ditë të shënuar, në një ditë të rëndësishme siç është edhe 2 Prilli, duhej të ishte aula e fjalës së lirë.

Jo vetëm që zoti Niko Peleshi, kryetari i kuvendit, po provokon në mënyrë sistematike opozitën, po ju mohon të drejtat procedurale bazuar në rregullore të deputetëve të opozitës, por sot po guxon që të heq fjalën edhe zonjave deputete, po edhe burrave deputetë të opozitës. Ne, Lidhja Demokratike e Gruas, zonja deputete të Partisë Demokratike, i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike e dënon aktin e rëndë nga Taulant Balla dhe kërkon që seanca të vijojë vetëm pas përjashtimit të tij të menjëhershëm nga seanca plenare, si dhe të përjashtohet duke marrë dënimin maksimal që ai e meriton. Taulant Balla nuk e ka vendin në këtë parlament, sepse është turpi i këtij parlamenti. Faleminderit.

Ajo që ka ndodhur është që zoti Peleshi duke duke provokuar në mënyrë të vazhdueshme situatën, ka refuzuar që t'i japë fjalën për procedurë deputetëve të opozitës. Jo vetëm kaq, ja ka kaluar pastaj fjalën një deputeteje të opozitës dhe ja ka hequr fjalën duke ja kaluar një zonje tjetër të opozitës, pra Bora Muzhaqit. Të mazhorancës, të Partisë Socialiste. Pra, sot, në ditën që duhej të ishte simboli i fjalës së lirë, për të cilin kanë dhënë jetën katër martirë për liri, demokraci, për fjalën e lirë, sot zoti Niko Peleshi guxon i heq fjalën opozitës, i heq fjalën zonjave të opozitës duke ja kaluar atë zonjave të mazhorancës.

Kjo është e papranueshme. Ne këtë nuk do ta pranojmë. Është derdhur gjak për këtë liri.

Dhe Taulant Balla, në momentin që deputetët e opozitës kanë kërkuar të rimarrin fjalën e tyre, deputetët e opozitës kanë kërkuar që të marrin fjalën që ju takon, është kthyer nga deputetët e opozitës duke i shantazhuar ato, duke i intimiduar. Kaq. Unë besoj që kaq mjafton për të kuptuar që ky është një parlament i kapur nga persona të tillë si Taulant Balla, që nuk e kanë vendin në këtë parlament, po e kanë vendin diku tjetër, sepse ato përfaqësojnë në këtë parlament jo qytetarët, por lidhjen me krimin e organizuar.