PARALAJMËRIMI I AMBASADËS AMERIKANE/ Boçi: Rreziku mbetet real. Nëse ndodh një goditje, pasojat mund të jenë të rënda
Në një lidhje direkte për Ora News, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, foli për rrezikun e mundshëm nga Irani dhe reagimin e institucioneve shqiptare.
Boçi tha se situata nuk duhet parë më si retorikë politike, por si një alarm konkret që kërkon reagim të menjëhershëm nga shteti.
Ai e lidhi shqetësimin me sinjalet e ardhura nga Ambasada Amerikane, duke e konsideruar këtë si një tregues serioz për nivelin e rrezikut.
“Rreziku mbetet real dhe nuk mund të trajtohet me qasje të lehtë. Nëse ndodh një goditje, pasojat mund të jenë të paparashikueshme dhe të rënda.”-tha Boçi.
Sipas tij, Shqipëria mund të shihet si një objektiv i mundshëm për shkak të tensioneve të mëparshme me Iranin, përfshirë sulmet kibernetike dhe qëndrimet politike të vendit.
Boçi ngriti shqetësimin për mungesën e reagimit institucional, duke kërkuar angazhim më të fortë dhe masa konkrete për sigurinë kombëtare.
“Këshilli i Sigurimit Kombëtar duhej të ishte mbledhur. Nuk bëhet më fjalë për deklarata, por për një situatë që kërkon veprim.”-shtoi ai.
Ai shtoi se në kushte të tilla, reagimi i institucioneve duhet të jetë i koordinuar dhe i shpejtë, për të shmangur rreziqet e mundshme dhe për të garantuar sigurinë e vendit.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

