Kapri i shqetësuar për monopatinat: Ndalimi i tyre vendim antikushtetues, të zgjidhet sa më parë

Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri i kërkoi sot ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari që t’i jepet zgjidhje sa më shpejt problemit të  ndalimit të qarkullimit të të rinjve me mjete elektrike.

Në interpelancën që po zhvillohet në Kuvend me ministrin Lamallari, deputeti Kapri parashtroi se u bënë 6 muaj nga marrja e vendimit për ndalimin e monopatinave dhe mjeteve elektrike, vendim që e cilësoi tërësisht antikushtetues.

“Ju keni vendosur që të gjithë shqiptarët që qarkullojnë me mjete elektrike duhet të ndalohen dhe të bllokohen të gjitha mjetet elektrike”, tha Kapri.

Deputeti Kapri solli shembullin e një të riu në Tiranë, të cilin Policia e shoqëroi në komisariat ku sipas tij është mbajtur disa orë pa praninë e një psikologu dhe nuk i kanë dhënë asnjë letër për pronën e tij.

“Këtë e keni bërë me mijëra raste, kjo tregon modelin tuaj ndaj këtyre të rinjve të cilët janë model, që shkojnë në punë me mjete elektrike që i kanë blerë me kredi që sakrifikojnë shumë, të cilët i bëjnë një shërbim publik sepse një mjet elektrik në qarkullim do të thotë një një makinë më pak. Në kushtet kur edhe nafta është rritur me 50 lekë më shumë ju ua vështirësoni jetën, keni humbur çdo lidhje me realitetin. Në vend që t’i inkurajoni, i trajtoni si kriminelë. Policët gjëmojnë adoleshentët sikur janë shpërndarës të lëndëve narkotike”, theksoi Kapri.

Ndërkohë, vijoi ai, “me të fortët jeni kokulur, dilni para parlamentit shikoni gjysmë ore rrugën do kalojnë me dhjetëra makina luksoze të të rinjve që nuk e justifikojnë burimin e të ardhurave”.

“Tregoheni të zellshëm ndaj të pamundurve, por ndaj të fortëve rrini kokulur, ky nuk është një model që tregoni tek të rinjtë e monopatinave që ende nuk i jepni zgjidhje edhe pse kam katër muaj që kam sjellë nismën ligjore në parlament edhe heshtni sepse me sa duket po përgatitet tjetër projekt për oligarkun e radhës si ta kapë këtë treg në rritje”, tha Kapri.