Lamallari i përgjigjet Ndojës: Siguria e personaliteteve nuk improvizohet
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, zhvilloi sot seancë pyetje-përgjigje me deputetin e Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, Arjan Ndoja.
Deputeti demokrat në fjalën e tij ngriti shqetësimin në lidhje me veprimet e Gardës, gjatë një takimi të zhvilluar në bashkinë e Durrësit në lidhje me projektin TID, ku Ndoja dhe deputeti demokrat Igli Cara, nuk u lejuan që të marrin pjesë.
“Në momentin që kemi marrë njoftim nga banorët unë së bashku me kolegun Igli Cara kemi tentuar të hyjmë në takim me banorët ku ndodhën disa ndryshime që bien ndesh dhe me VKM-në. Aty jemi hasur me një punonjës të Gardës që na ka thënë se nuk lejohen të futen deputetët”, tha ai i cili shtoi se Ministri i Brendshëm “duhet të marrë masa që mos të ndodhë më”.
Ai shtoi se sjellja ndaj deputetëve të opozitës “nuk ka të bërë me individin”, po “është përshkallëzuar në akte që janë të kundërligjshme”.
“Nuk mund të vijë një punonjës policisë të godasë deputetin dhe aq më pak kryetarin e opozitës. Statusi që i përket me ligj deputetit duhet të mbrohet sepse është kultura e institucioneve, jo për shkak të individit, nëse do të ishte kështu, do të shkonim drejt “vetëgjyqësisë””, tha ai.
Në përgjigje të tij, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, theksoi se çështja e ngritur, përtej perceptimit politik, është në thelb një provë e qartë e qëndrimit ndaj ligjit dhe standardeve të shtetit ligjor.
Ministri nënvizoi se çdo situatë konkrete duhet trajtuar mbi bazën e fakteve dhe referimit të drejtpërdrejtë në ligj, duke refuzuar çdo përpjekje për ta relativizuar zbatimin e tij për interesa të momentit.
“Do ta shpjegoj këtë bazuar në fakte dhe në referim të ligjit. Pavarësisht se zoti Ndoja është jurist me përvojë të gjatë dhe njeri i ligjit, e njeh shumë mirë atë, ligji nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë” është i qartë: “Kur një personalitet i mbrojtur, si Kryeministri i vendit, zhvillon një aktivitet, çdo ambient ku ai ndodhet trajtohet si objekt në ruajtje”. Ligji është i qartë dhe nuk ka interpretime. Në takimin e Durrësit, të cilit ju i referoheni në kërkesën tuaj, nuk ka përjashtime. Nuk ka privilegje. Nuk ka status mbi sigurinë. Ka vetëm një standard, zbatimin rigoroz të ligjit dhe masave të sigurisë siç e parashikon preraz ligji. Në këtë kuptim, çdo hyrje, çdo akses, çdo prani në atë ambient i nënshtrohet verifikimit dhe autorizimit sipas protokolleve përkatëse. Jo sipas dëshirës. Jo sipas bindjes politike, por sipas ligjit dhe vetëm ligjit”, shpjegoi Lamallari.
“Është shumë e rëndësishme të bëjmë një dallim thelbësor, që në këtë debat po tentohet të mjegullohet me qëllim e drejta për informacion nuk është e njëjtë me të drejtën për të qenë fizikisht i pranishëm kudo. Deputeti ka të drejtën e tij të plotë të kërkojë informacion, të ushtrojë kontroll parlamentar, të ngrejë çështje dhe të kërkojë përgjigje. Si në rastin konkret, kjo seancë dëshmon pikërisht të drejtën tuaj mbi bazë të statusit tuaj si deputet, në bazë të ligjit në fuqi. Por askund në ligjin për statusin e deputetit nuk thuhet se kjo e drejtë shndërrohet në një leje të pakufizuar për të hyrë në çdo aktivitet, në çdo ambient, në çdo moment. Sepse në një shtet serioz, të drejtat bashkëjetojnë me rregullat. Rregullat nuk përkulen përballë askujt”, tha Lamallari.
Ministri shtoi se “rasti konkret në Durrës nuk ka qenë një mbledhje e Këshillit Bashkiak, nuk ka qenë një proces vendimmarrës institucional, ku pjesëmarrja e deputetëve është e detyrueshme”.
“Ka qenë një takim i organizuar në kushte të caktuara sigurie, në prani të një personaliteti të mbrojtur. Pikërisht për këtë arsye, Garda ka zbatuar protokollet e saj. Moslejimi i hyrjes nuk ka qenë një akt politik. Nuk ka qenë një qëndrim selektiv. Nuk ka qenë një vendim arbitrar. Ka qenë një masë sigurie. Një masë ligjore. Një masë e domosdoshme pikërisht për të gjitha arsyet që unë rendita. Kjo vetëm bazuar në ligj dhe në protokollet e Gardës së Republikës”, shpjegoi ministri.
“Është e lehtë të krijosh narrativë politike mbi një situatë konkrete. Është e lehtë të përpiqesh të ekspozosh zbatimin e ligjit si pengesë. Por, është shumë më e vështirë dhe shumë më e rëndësishme të mbrosh standardin e shtetit ligjor. Sepse nëse sot pranojmë që masat e sigurisë të relativizohen apo të përkulen sipas interesit të ditës, atëherë nuk kemi të bëjmë me shtet ligjor, por kemi vetëm improvizime, lëshime të cilat mund të çojnë edhe në cenime të protokolleve të ligjeve dhe efeteve që ato mund të sjellin sigurisht që rëndojnë mbi institucionet shqiptare, përfshirë në rastin konkret, Gardën e Republikës. Sepse kur institucionet zbatojnë ligjin pa dallim, kjo nuk është problem. Kjo është provë e forcës së shtetit, qofshim ne në qeveri apo kur ishit ju në qeveri. Unë besoj fort që në rastin konkret Garda e Republikës ka zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin dhe ka bërë detyrën”, tha Lamallari.

