SHBA jep alarmin për sigurinë në Shqipëri, Gjunkshi: Begaj pret “sulltanin” se mos ka ndonjë mendim tjetër
Këshilltari për Sigurinë në PD, Xhemal Gjunkshi, ka akuzuar presidentin e Republikës, Bajram Begajn për mos mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pavarësisht paralajmërimeve nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë për kërcënime të mundshme nga Irani.
Ai kritikoi edhe qëndrimin e ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili e cilësoi situatën si “rutinë”, duke e konsideruar këtë si minimizim të rrezikut dhe “qetësi artificiale” nga institucionet.
Reagimi i plotë:
Presidenti i Republikës Bajram Begaj i paaftë për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare!
Ministri Mbrojtjes Ermal Nufi shfaqet a thua se është Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s!
Ambasada Amerikane në Tiranë jep alarm për sigurinë në Shqipëri, si pasojë e sulmeve të mundshme nga Irani.
Shteti shqiptar jep… qetësi artificiale.
Bajram Begaj nuk e mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Sepse, me sa duket, "rreziku" pret derisa t’i vijë radha në agjendë.
Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, na shpjegon që kjo është “rutinë”.
Rutinë?
A është ky zëdhënës i NATO apo thjesht po bën rolin e qetësuesit publik?
Në çdo vend serioz, një alarm i tillë sjell reagim.
Tek ne sjell justifikime. Asgjë më shumë. Në çdo shtet normal, Presidenti mbledh institucionet.
Tek ne, Presidenti pret… mos ndoshta “Sulltan Rama” ka ndonjë mendim tjetër.
Dhe kështu, ndërkohë që të tjerët paralajmërojnë, këta administrojnë… heshtjen.

