Flamur Noka i gjuan Taulant Ballës me shishe në sallë: “O Toyota Yaris, ushtar i Suel Çelës!”! Rinis me tensione seanca në Kuvend

Një propozim i kreut te grupit të PS, Taulant Balla për 1 minutë heshtje në nderim 35-vjetorit të masakrës së 2 prillit 1991, kur 4 të rinj u vranë në protestën e fundit kundër regjimit komunist, u bë shkak për një tjetër përplasje mes opozitës dhe mazhorancës në sallën e Kuvendit.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka mori fjalën dhe lëshoi ‘lumë’ akuzash ndaj Ballës duke e cilësuar si të lidhur me krimin.

“Jeni bandë dhe keni vënë në krye të grupit një kryebandit”, tha Noka.

Gjuha e përdorur jo vetëm ndaj Ballës, por edhe vetë Niko Peleshit, bëri që ky i fundit t’i ndërpresë fjalën dhe t’i tërheqë vëmendjen për fjalor të papërshtatshëm dhe i kujtoi se në asnjë rast fjalën nuk mund ta marrë me dhunë.

“Nga ushtar i Ramës, je shndërruar në ushtar të Ravik Gurrës”, i tha Noka-Peleshit.

“Mund t’i bini foltores sa të doni, me dhunë nuk merret fjala. Mos ndërprisni punimet e Kuvendit”, tha Peleshi.

Deputetët e opozitës në grup bllokuan foltoren dhe nuk lejuan kolegët e mazhorancës që të mbanin fjalën. Bora Muzhaqi që po fliste nga vendi nuk u lejua nga deputetja demokrate Elda Hoti, e cila u filmua teksa i merrte kartën e deputetes.

Kjo situatë bëri që kryetari i Kuvendit të ndërpresë për 5 minuta seancën, por debatet vazhduan jashtë kamerave, ku Flamur Noka ka hedhur në drejtim të Ballës një shishe me ujë..

Po me tensione ka nisur sërish seanca plenare. Teksa fliste nga vendi i tij Taulant Balla, demokratët i janë afruar, ndërsa kanë lëshuar akuza ndaj tij.

Noka i drejtohet Ballës: O Toyota Yaris, ushtar i Suel Çelës.

Balla: Deputetja e PD që mori kartat do të përballet me masa. Kemi depozituar kërkesën.