"Ishte konfliktual"/ Djali i viktimave në Roskovec jep detaje nga tragjedia në familje: A*ma ishte e 97' dhe e fshehur nën tokë...
Tragjedia në Roskovec ku i moshuar Shefit Rrapaj vrau bashkëshorten Dashuria Rrapaj dhe më pas veten brenda banesës është zbardhur me detaje të reja.
Sipas burimeve policore, djali i çiftit të moshuar ka treguar se në momentin e ngjarjes ndodhej në Fier për një konsultë mjekësore.
Lëvizjet e tij janë verifikuar edhe nga kamerat e sigurisë.
Ai ka rrëfyer se i ati kishte natyrë konfliktuale dhe se tensionet në familje kishin qenë të vazhdueshme.
Përplasja e fundit mes tyre kishte ndodhur rreth 10 ditë më parë për një arsye banale, pasi djali kishte hedhur pleh në patatet e mbjella në oborr.
Debati kishte përfunduar edhe në komisariatin e Roskovecit.
Sipas tij, nëna i dilte shpesh në mbrojtje.
Kur është kthyer nga Fieri, djali i ka gjetur të dy prindërit pa shenja jete në banesë. Fillimisht ka njoftuar një të afërm dhe më pas policinë.
Hetimet tregojnë se arma e përdorur është një pushkë e vjetër, e cila dyshohet se ishte mbajtur e fshehur që prej vitit 1997.
Ajo është gjetur me dhe, ndërsa rezulton të jetë përdorur dy herë, një plumb ka vrarë gruan, ndërsa tjetri është përdorur nga i moshuari për t’i dhënë fund jetës.
Grupi hetimor vijon punën për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie familjare.

