BSH ul normën e interesit, Fullani: Shkak situata e vështirë ekonomike

Norma bazë e interesit ulet me 0.25% duke arritur kështu në 3.5 %, një nivel historik për Shqipërinë. Kjo ulje e normës së interesit prej Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, tregon se ekonomia e vendit dhe kushtet financiare janë mjaft të vështira. Sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani,  një vendim i tillë do të nxisë dhënien e kredive dhe si rrjedhim rritjen ekonomike.Ndërkohë në lidhje me auditin ndërkombëtar i cili do të realizohet prej qeverisë së Ramës që do të marrë pushtetin në Shtator, guvernatori u shpreh se është detyrë e qeverisë së re që të ketë sa më shumë informacione në lidhje me financat."Instrumentat e brendshme dhe të jashtme janë të domosdoshme.  BSH ndihet  shumë komfort sepse kjo është bërë dhe do të bëhet. Është një detyrë e qeverisë së re që të njihet me financat e vendit. Qeveria është e mirëpritur të marrë informacion nga Banka e Shqipërisë . Me rëndësi është angazhimi  i qeverisë për të ndërtuar një infrastrurë të qartë funksionale dhe transparente në lidhje me mbledhjen e të dhënave" tha Fullani.Guvernatori Fullani përsëriti edhe njëherë apelin për kujdes ndaj nivelit të borxhit publik të cilin e konsideroi si të rrezikshëm.Sipas Fullanit gjatë muajve në vazhdim do të ketë një rritje të ngadaltë të aktivitetit ekonomik ndërsa stimuli fiskal do të mungojë gjatë muajve të ardhshëm të vitit.