Olldashi premton ringritjen e Partisë: Gara në PD po krijon një traditë
Dy ditë nga zgjedhjet për kreun e ri të PD-së, Sokol Olldashi vijoi fushatën me takime intensive me anëtarësinë në Tiranë. Duke folur para demokratëve të grupseksioneve 8, 9 dhe 10, Olldashi tha se Partia Demokratike, si formacioni më i madh politik i së djathtës, po kthen në standard edhe garën brenda "shtëpisë". Sipas tij, kjo garë e para në këtë format është një proçes dinjitoz vlerash që po krijon edhe një traditë.“Kjo është një garë reale, po është një garë që zhvillohet brenda nesh, një garë brenda shtëpie. Është një garë vlerash mes dy njerëzve që janë pjesë e qënësishme e Partisë Demokratike. Secili me kontributin, profilin dhe me eksperiencen e tij. Ju ftoj të gjithëve të merrni pjesë, t'i jepni seriozitet dhe dinjitet këtij proçesi. Është një garë që në mënyrën sesi po zhvillohet, është e para në Partinë Demokratike dhe do të konsolidojë edhe një shtrat për proçeset zgjedhore që do të zhvillohen në të ardhmen”, u shpreh Olldashi.Ndërkohë në një tjetër bashkëbisedim me anëtarë dhe drejtues të Partisë Demokratike të njësive 3 dhe 4 po në Tiranë, Sokol Olldashi ritheksoi modifikimin e lidhjes mes nivelit politik dhe qelizës bazë të partisë, militantit.“Ne kemi nevojë të modifikojmë atë që është lidhja bazë e nivelit politik të partisë me qelizën e vet dhe qeliza e një strukture gjigante, sic është Partia Demokratike, është anëtari i thjeshtë. Ristrukturimi dhe rivitalizimi i PD-se nuk nis me Kryetarin e Ri, cilido që të zgjidhet. Rivitalizimi i Partisë Demokratike nis me rivendosjen e marrëdhënies mes nivelit politik të partisë dhe anëtarit të saj, këtu fillon ringritja!”, tha Sokol Olldashi.Në një tjetër takim me anëtarët e Njësisë 2 në Kryeqytet, Olldashi premtoi rikthimin e Partisë Demokratike në shumicë politike, në përballjen e parë elektorale.“Nëse ne duhet të bëjmë një betejë të fortë, nëse ne duam të bëjmë një betejë politike të suksesshme për të rikthyer Partinë Demokratike në shumicë, ne duhet të ndajmë fushën politike. Duhet t'ua bëjmë të qartë shqiptarëve se politika në këtë vend nuk ka më tre pole: ka mazhorancën e tyre dhe opozitën tonë. Nuk ka më lojtar mesi!”, u shpreh kandidati për kreun e PD-së.Sokol Olldashi e ka mbyllur ditën e fushatës me një takim ndryshe me Forumin Rinor të Partisë Demokratike, duke zgjedhur një nga ambjentet më të frekuentuara në fundjavë nga të rinjtë në Kryeqytet.