Nishani pret Sequin: Institucionet e ligjit nuk duhet të stepen nga presionet
Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti sot në një takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, zotin Ettore Sequi.
Ambasadori Sequi, në fillim të takimit u shpreh se procesi zgjedhor, zhvilluar në Shqipëri ka rritur optimizmin për të ardhmen evropiane të vendit dhe se vëmendja e Brukselit është përqendruar në procesin e tranzicionit të pushteteve, në vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vazhdimin e reformave dhe konsolidimin e drejtësisë, demokracisë dhe shtetit ligjor. Kryediplomati evropian shtoi se duhen evidentuar arritjet e deritashme dhe se duhet të vazhdojnë përpjekjet që vendi të bindë edhe skeptikët për performancën e tij në përmbushjen e standardeve të nevojshme të integrimit evropian.Presidenti Nishani u shpreh optimist se mazhoranca e re qeverisëse do të vazhdojë me vendosmëri luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të përshpejtojë ritmin e reformave, theksoi se do të vazhdojë t`i ofrojë qeverisë së re bashkëpunimin e tij të plotë institucional dhe se është i mendimit që bashkëpunimi dhe bashkëpërgjegjësia respektive e të gjitha institucioneve shtetërore dhe politike mbeten elementë të rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Presidenti Nishani, në përgjigje të interesimit të Ambasadorit Sequi, tha se institucionet e ligjit nuk duhet të stepen nga presionet e natyrave të ndryshme, por duhet të zbatojnë ligjin dhe se do të garantojë ruajtjen, forcimin dhe mbrojtjen e institucioneve të pavarura.