Basha takime në Leskovik, Përmet e Paskuqan: Humbëm se u harrua anëtarësia

Kandidati për kryetar të PD Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e partisë, në Leskovik, Përmet dhe Paskuqan. Zoti Basha e ka konsideruar si një nga arsyet e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, mungesën e vëmendjes dhe mirënjohjes ndaj anëtarësisë së PD si dhe garantoi se si kryetar i PD, do të mbajë një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant të PD.“Një gjë mund t’ua them sot, jo si konkluzion por si mendimin tim personal, si zërin tim individual, si anëtar i PD, se një ndër arsyet e humbjes ka qenë mungesa e vëmendjes dhe mungesa e mirënjohjes ndaj anëtarëve dhe militantëve të PD, ndaj dhe pika e parë e asaj që duhet të bëjmë si parti politike është të korrigjojmë këtë gabim dhe ta nisim duke bërë të mundur, që në bazë të kontributit të çdo anëtari nga dita e parë e themelimit të partisë e deri më sot të vlerësohen edhe meritat, sot në opozitë dhe nesër në pushtet. Personalisht angazhohem, nëse më besohet kjo detyrë e lartë, që të mbaj një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant të PD” – deklaroi z. Basha.Sipas Bashës, mazhoranca e re ka nisur që sot të zmbrapset nga premtimet e saj, me pretendimin se projekti i saj është për 8 vjet dhe jo për katër. “Partia Demokratike, - tha Basha, duhet të jetë gati të rikthehet si mazhoranca e shpresës, për ëndrrat dhe aspiratat shqiptarëve”.“Që sot kanë filluar të zmbrapsen si akrepi dhe të justifikohen në mënyrën më të paturpshme, se objektivat me të cilat morën pushtetin, mashtrimet e rilindjes së mashtrimit i paskan bërë për 8 vjet por shqiptarët i votuan për 4 vite. Sot, na lind detyra të bëhemi gati, në mënyrë që duke i shkurtuar ditët kësaj mazhorance të mashtrimit, ne të jemi gati një orë e më parë, për t’u rikthyer si mazhoranca e shpresës dhe si forca e vetme ku mund të mbështeten shqiptarët e ndershëm për ëndrrat e aspiratat e tyre”Po ashtu, Basha ka theksuar se Partia Demokratike do të jetë në qendër të një opozite të gjerë, përballë rilindjes se mashtrimit.“Që sot, ne duhet ta vendosim veten tonë në qendër të një fronti të gjerë opozitar, me të gjithë faktorët shoqërorë, të përndjekurit, pronarët, rinia, biznesi i vogël dhe i mesëm deri tek faktorët e tjerë shoqërorë, bota akademike, shoqëria civile të cilët e kuptojnë se mazhoranca e zullumit të 23 qershorit është në konflikt interesi me interesat e tyre dhe kanë shpresë që PD do të jetë mbrojtja, avokatja e interesave të tyre”