Rama takohet me Metën në selinë rozë

Ilir Meta ka shkeluar sërish në shtëpinë e së majtës. Kryetari i LSI ka hedhur hapat drejt Partisë Socialiste pas 6 vitesh mungesë për të zhvilluar një takim kokë më kokë me Kryeministrin e ardhshëm Edi Rama.Takimi i mbajtur në zyrën e kryesocialistit është zhvilluar në mesditë dhe ka zgjatur rreth një orë. Ai është mbajtur hermetik për mediat, pasi nuk është njoftuar nga asnjëra nga zyrat e shtypit.Burimet të Ora News thanë se biseda mes Ramës dhe Metës është mbështetur tek detajet e qeverisjes së përbashkët, në kushtet kur ka nisur numërimi mbrapsht drejt ditës kur e majta do të marrë drejtimin e qeverisë.Mes kreut të PS dhe kreut të LSI nuk ka ende një dakordësi sa i përket numërit të Ministrive që do mbajë LSI në qeverinë e re dhe të dy krerët e partive deri tani kanë shuar zërat për numra dhe emra Ministrash.Sipas të dhënave, mësohet se në takim është diskutuar edhe për ecurinë e programit qeverisës me të cilin është angazhuar një grup i përbashkët pune mes PS dhe LSI. Krerët e këtij grupit, Ilir Beqja i PS dhe Edmond Haxhinasto i LSI, deklaruan se brenda dhjetë ditësh programi qeverisës do të jetë gati.Biseda kokë më kokë, pason një tjetër takim informal që Meta dhe Rama kanë pasur në bregdetin shqiptar në fundjave, megjithatë kjo nuk e zbeh aspak kureshtjen dhe vemëndjen e kësaj vizite të Metës në selinë e PS, pasi edhe pse deklaruan bashkëpunimin në zgjedhje që në 1 prill të këtij viti, Meta gjatë gjithë këtyre muajve të pajtimit me Ramën, nuk ka hyrë asnjëherë në selinë e PS.Të gjitha takimet mes tyre janë mbajtur larg selive, në ambjente publike apo private. Edhe marrëveshja e bashkëpunimit mes tyre nuk u firmos në selinë e PS siç ndodhi me të gjithë aleatët, por në qytetin e Shkodrës.