Kalon ligji për amnistinë, 90 deputetë votuan pro pas ndryshimeve

Parlamenti i Kosovës miratoi me 90 vota për dhe 17 kundër, projektligjin për amnistinë, që është detyrim i dalë nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Amnistia synon të krijojë kushte për integrimin e pjesëtarëve të strukturave serbe në veri.Një javë më parë Parlamenti dështoi të miratojë ligjin, i cili sot u hodh për debat pa njërin nga nenet e tij që kishte nxitur shumë reagime të forcave politike por edhe organizata joqeveritare, për shkak të përfshirjes së veprave edhe jashtë veriut të Kosovës. Në tekstin e miratuar sot është kufizuar fusha e veprave që parashihet të amnistohen.Disa nga veprat që përfshihen në projektligjin e miratuar në parim përfshijnë amnistinë për “sulm mbi rendin kushtetues të Kosovës, kryengritja e armatosur, cenimi i tërësisë tokësore, spiunazhi, kalimi i paligjshëm i kufirit, kontrabanda me mallra, shmangia e taksave, dëmtimi i pronës, zjarrëvënia e tj.Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, njëherësh ministër i drejtësisë tha se projektligji është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet në fuqi.Ligji mori mbështetjen e partive në pushtet dhe Lidhjes Demokratike e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, ndërsa u kundërshtua ashpër nga lëvizja Vetëvendosje.Debati është përcjellë me protesta të veprimtarëve të kësaj lëvizjeje por edhe të një grupi organizatash joqeveritare që kundërshtojnë miratimin e ligjit për amnistinë.Gjatë një proteste përballë Parlamentit u tha se ligi synon të amnistojë vepra të rënda që nuk do të duhej të amnistoheshin.