Qeveria “ngrin” shpenzimet, administrata do të shpenzojë më pak për 2013

Kryeministri në detyrë Sali Berisha ul shpenzimet buxhetore për 2013. Me anë të një vendimi që hyn në fuqi menjëherë është përcaktuar se për disa zëra të administratës ka ulje të konsiderueshme të shpenzimeve. Kriza e rënduar e financave publike si rezultat i shpenzimeve të larta gjatë muajve të pare të 2013 e ka detyruar Ministrinë e Financave të përgatisë me shpejtësi një vendim për të frenuar shpenzimet e buxhetit.Drafti i bërë gati nga ekspertët ndalon çdo prokurim të ri publik për investime dhe ngrin shpenzimet për dieta e udhëtime të administratës. Kështu shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes të njësive të qeverisjes qendrore, të pakontraktuara deri në datën 15 korrik, ngurtësohen në masën 20 për qind të pjesës së mbetur.Gjithashtu për të gjithë administratën reduktohet 30 % masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare për çdo përfitues, ndërsa fondet e papërdorura për pagesën e telefonisë fikse, për periudhën e mbetur, reduktohen në masën 50 për qind në të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, nëpërmjet përgjysmimit të limeteve mujore për çdo përdorues.Ndërkohë që sipas vendimit edhe fondi i vecantë nuk do të përdoret deri në 2 dhjetor, duke përjashtuar rastet e ndihmave të menjëhershme dhe të shpërblimit për daljet në pension pleqërie. Gjithashtu me anë të këtij vendimi anullohen edhe të gjitha shpenzimet për udhëtime e dieta me përjashtim të atyre të rëndësisë së vecantë për të cilat duhet një vendim paraprak i Ministrit të Financave.Po ashtu në bazë të këtij vendimi trajnimet, seminaret, kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t'u mbuluar me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2013, bllokohen. Koalicioni i ri, i cili pritet të marë pushtetin në shtator që prej disa kohësh i ka kërkuar kryeministrit Berisha që të bëj kujdes me shpenzimet buxhetore.Sipas Beqës, situata financiare është e vështirë pasi vetëm në 6 muajt e parë të vitit qeveria në ikje ka ezauruar plot 90% të deficitit buxhetor vjetor. Ulja e shpenzimeve buxhetore në mes të vitit në vendin tonë është kthyer në një traditë tashmë që prej 2009.