Ashton në Kosovë: Zbatoni marrëveshjet. Thaçi burrë shteti
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kosovë.Gjatë ditës së sotme ajo është takuar me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe më pas me kryeministrin Hashim Thaçi.Takimi me Thaçin është mbajtur me dyer të mbyllura, ndërsa në këto momente po mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp.Në fjalën e saj Baronesha Ashton ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit ndërsa ka vlerësuar edhe rolin e kryeministrit Thaçi për bisedimet me Serbinë duke e cilësuar si burrë shteti.Ajo nuk ka dashur të komentojë lidhur me atë se çfarë parashikon ligji për amnistinë, por ka thënë se është e interesuar që marrëveshja e arritur të zbatohet.“Kosova ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për zbatimin e kësaj marrëveshje. Nuk dua të përfshihem në atë se çfarë përmban ligji, por jam e interesuar të sigurohem që ajo për çka është arritur marrëveshja të zbatohet”, ka thënë ajo.Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se me dhënien e dritës së gjelbër për hapjen e negociatave e negociatave për MSA-në, Kosova ka hyrë në rrugë të sigurt të perspektives evropiane.Ai ka thënë se ka besim të plotë se ky hap do të jetë një inkurajim i ri për institucionet dhe qytetarët e Kosovës.Sa i përket takimit, Thaçi ka thënë se me Ashton ka biseduar rreth takimit të fundit mes tij dhe kryeministrit serb, Ivica Dacic, për telekomunikacionin dhe energjinë derisa ka thënë se në këtë aspekt është arritur progres substancial.Gjithashtu Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e ka cilësuar si të domosdoshëm miratimin e ligjit për amnistinë."Kërkoj që të lexohet mirë ligji për amnistinë. Ka pasur keqinterpretime mbi ligjin por në rrethanat ku ndodhedhemi ligji për amnistinë është i nevojshëm, është i domosdoshëm dhe është një standart i marrëveshjeve politike. Ligjin për amninistinë e kanë bërë edhe vendet e rajonit prandaj duhet të kemi parasysh edhe rrethanat ku ndodhemi. Gjithçka është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjeve të Kosovës" tha Thaçi.Ashton pritet që sot të takohet edhe me përfaqësues të opozitës ku do të diskutohet ratifikimi i Ligjit për Amnisti, por edhe pika të tjera të marrëveshjes se arritur mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut serb Ivica Dacic.Kjo vizitë bëhet pasi të hënën në mbrëmje në Bruksel përfundoi rundi i 13 i takimit ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e zonjës Ashton.Ndërkohë, dje Ashton ka vizituar Beogradin, ku është takuar me presidentin Tomisllav Nikoliç dhe kryeministrin serb, Ivica Daçiç.Ajo ka përshëndetur përparimin e arritur në bisedimet me Kosovë dhe ka theksuar se ka qenë e kënaqur kur anëtarëve të BE-së iu ka prezantuar atë përparim. Sipas saj ekzistojnë rezultate konkrete në implementimin e marrëveshjes së Brukselit.“Për herë të 13-të kam takuar kryeministrat Daçiç dhe Thaçi dhe do t’i takoj sërish, bisedimet do të vazhdojnë në javën dhe muajt para neve. Nuk do të ketë pushime verore për të gjithë, sepse duhet të tregojmë përparim”, ka thënë Ashton.Në anën tjetër, Nikoliç ka deklaruar se Serbia vazhdon me ritëm të njëjtë në përmbushjen e deturimeve që ka marrë nga BE-ja, por edhe ndaj qytetarëve të saj kur bëhet fjalë për jetë më të mirë.Ai ka shtuar se Ashtonit i ka thënë edhe një herë që Serbia kurrë nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës dhe se ajo ia ka kthyer atij se këtë në BE e dinë dhe se askush nga Serbia nuk po kërkon pranimin e Kosovës.