Përplasje në kufirin Kosovë-Serbi, plagosen 5 shqiptarë nga xhandarmëria serbe
Një shkëmbim zjarri është shënuar mbrëmjen e djeshme në kufirin Kosovë-Serbi ku xhandarmëria serbe ka qëlluar me armë drejt disa shqiptarëve.Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mirofc të Podujevës, në brezin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë ku xhandarmëria serbe ka plagosur 5 shqiptarë.Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se dyshohet të ketë pasur shkëmbim zjarri ndërmjet disa personave që sipas tij, dyshohet se kanë qenë duke prerë dru në mal.“Rreth orës 19:40 në fshatin Mirofc të Podujevës, në brezin kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dyshohet të ketë pasur shkëmbim zjarri në mes të disa personave që dyshohet se kanë qenë duke prerë dru dhe disa personave nga ana e kufirit. Nga informacionet e pranuara nga terreni dyshohet edhe për 5 persona të plagosur nga arma e zjarrit. Të plagosurit janë në drejtim të QKUK-së”, ka theksuar Baki Kelani duke shtuar se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me këtë rast.Ndërsa mediat serbe raportojnë se të paktën dy shqiptarë të jenë plagosur në kufirin Kosovë-Serbi, gjatë konfliktit të armatosur me përfaqësuesit e xhandarmërisë serbe.”Grupi shqiptar ka sulmuar me armë automatike patrullën e xhandarmërisë në territorin e Serbisë, në fshatin Borovac të Kurshumlisë”, citohet Komandanti injësitit serb, Bratislav Dikiç nga mediat serbe.Sipas tij shqiptarët po prinin dru ilegalisht ndërsa thekson se dyshohet se gjatë sulmit janë më shumë shqiptarë të plagosur.Kjo nuk është hera e parë që në vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përgjatë vijës kufitare që përfshin Komunën e Podujevës, të ketë pasur shkëmbime zjarri.