Baronesha Ashton viziton sot Beogradin, nesër Prishtinën

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, do të qëndrojë sot në Beograd ndërsa nesër do të vizitojë Prishtinën.Kjo vizitë bëhet pasi mbrëmë në Bruksel përfundoi rundi i 13 i takimit ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e zonjës Ashton.Gjatë vizitës në Beograd Baronesha Ashton do të takohet me presidentin Tomisllav Nikoliç, kryeministrin Ivica Daçiç dhe zëvendëskryeministrin Aleksandar Vuçiç.Sipas njoftimit të BE-së, Baronesha Ashton gjatë vizitës në Prishtinë, do të takohet me presidenten Atifete Jahjaga dhe me kryeministrin Hashim Thaçi.Ndërkohë mësohet se gjatë takimit të djeshëm, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic i kanë përafruar qëndrimet për arritjen e marrëveshjeve për telekomin dhe energjinë.Arsyeja e mos nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve në raundin e së hënës që zgjati disa orë pasdite ishte interpretimi gjuhësor që pala serbe ka kërkuar t’u bëhej marrëveshjeve.Sipas mediave kosovare, pala serbe i ka pranuar gjitha konkluzionet e Bashkimit Evropian për të dyja marrëveshjet mirëpo ka kërkuar disa fjalë të lihen me dykuptimësi për ta “shitur” si fitore në publikun serbë.