BDI, Gruevskit: Pavarësisht mosmarrëveshjeve, ne jemi legjitim tek shqiptarët
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i është kundërpërgjigjur sot kryeministrit dhe liderit të partisë së koalicionit qeveritar, Nikolla Gruevski lidhur me deklarimet e tij se janë në nivelin e duhur marrëdhëniet midis partnerëve të koalicionit.Artan Grubi, shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi sot se pavarësisht mosmarrëveshjeve me partnerin e koalicionit, BDI-ja mbetet përfaqësuese legjitime e shqiptarëve të Maqedonisë në Qeveri, dhe si e tillë nuk mund të braktisë koalicionin qeveritar.“Ne jemi në Qeveri si rezultat i zgjedhjeve të fundit parlamentare, ku BDI mori besimin absolut të komunitetit shqiptar në Maqedoni, andaj jemi të përkushtuar në realizimin e programit që mori besueshmërinë e popullatës në këto zgjedhje të fundit. Andaj besoj që të gjitha dallimet duhet të tejkalohen me kompromis dhe dialog, por ama duhet të dihet që njëkohësisht BDI-ja dhe VMRO-ja janë aty si përfaqësues të dy komuniteteve shtetformuese në Maqedoni”, theksoi Grubi.Duke komentuar zërat për zgjedhje të parakohshme, që do të ishin në favor të partisë së kryeministrit VMRO-DPMNE, Artan Grubi theksoi se BDI nuk është e interesuar për zgjedhje të tilla të parakohshme.“Zjedhjet nuk zgjidhin as problemet e hapura, duke filluar që nga emri dhe integrimet. Jo vetëm kaq, por BDI mbron qëndrimin se kjo periudhë pa zgjedhje në Greqi dhe Maqedoni, është momenti më i mirë për të punuar në përafrimin dhe zgjidhjen e çështjes së emrit”, nëvizoi Grubi. Reagimet vijnë pasi që Gruevski në një intervistë për një portal maqedonas deklaroi se marrëdhëniet në Qeveri nuk janë të mira dhe në nivelin e duhur me partinë shqiptare BDI të Ali Ahmetit.