NATO vlerëson FSK-në: Përmbushi kapacitetet operacionale, mandati i pandryshuar

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kumtoi sot vlerësimin e Këshillit të aleancës se Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbushur kapacitetet e saj operacionale dhe është plotësisht e aftësuar që të përmbushë detyrat e caktuara nga mandati i saj në bazë të standardeve të përcaktuara nga NATO-ja. Por, misioni i saj, mbetet i pandryshuar.Në një komunikatë të lëshuar nga selia e NATO-s në Bruksel, sekretari Rasmussen përgëzon anëtarët e Forcës së Sugurisë së Kosovës si dhe pjesëtarët e KFOR-it që ishin përfshirë në ngritjen e kësaj force.Në komunikatë thuhet se “Misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet i njëjtë sikundër ishte gjithnjë: ndërmarrja e operacioneve të mbrojtjes civile dhe mbështetja e autoriteteve civile në përballjen me fatkeqësitë natyrore dhe emergjencave të tjera. Aleanca do të vazhdojë të sigurojë mbështetje dhe këshilla nëpërmjet ndërlidhësve të NATO-s dhe ekipit të këshilltarëve”.Në komunikatë thuhet se misioni i KFOR-it mbetet po ashtu i pandryshuar: të sigurojë mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë.E ardhmja e Ballkanit perëndimorë është në dialog dhe ripajtim, thuhet në komunikatë, në të cilën ju bëhet thirrje pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve që të shqyrtojnë përfshirjen në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të siguruar se ajo do të jetë vërtetë një forcë shumetnike dhe përfaqësuese.Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Ngritja e kësaj force të cilën shqiptarë e shohin si bërthamë të ushtrisë së Kosovës, është kundërshtuar nga Beogradi, i cili vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Ceku kishte deklaruar më herët se forca që e drejton ai është e gatshme të bëhet ushtri e Kosovës dhe se një gjë e tillë pritet të rekomandohet në mesin e vitit 2013.Deklarimi i NATO-s mbi Forcën e Sigurisë është mirëpritur nga autoritetet më të larta të Kosovës.Presidentja Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi nëpërmjet një deklarate se ky “shënon një sukses të ri të kësaj force dhe për përpjekjet e gjithëmbarshme të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për të ndërtuar një shtet prosperues dhe për të përmbushur vizionin e një force të qëndrueshme me një të ardhme të qartë”.Në deklaratë thuhet se “Forca e Sigurisë së Kosovës ngërthen në vete synimin për të krijuar infrastrukturë të plotë të sigurisë, në përputhje me nevojat e Republikës së Kosovës dhe e përgjegjshme për t’iu dalë në ndihmë dhe për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Përkushtimi i palëkundur ndaj misionit të saj për një Kosovë demokratike dhe paqësore e ka renditur FSK-në në mesin e institucioneve më të besueshme të Kosovës, sukses ky që u kurorëzua sot me vendimin e NATO-s. Në integrimin tonë euroatlantik, FSK-ja do të jetë mekanizëm i rëndësishëm i zbatimit të politikave të emergjencave dhe të sigurisë së vendit tonë dhe i angazhimit dhe kontributit të Republikës së Kosovës në misionet e përbashkëta me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë”, thuhet mes tjerash në reagimin e presidentes Jahjaga.Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se deklarimi i NATO-s “është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, është një kapitull i ri për zhvillimin e FSK-së, sepse Kosova ndan vizionin e NATO-s për një të ardhme ku Ballkani perëndimor është i integruar në strukturat euroatlantike. Pra, është kapitulli i avancimit të FSK-së. Gjithashtu, dua të theksoj se Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë që është ndërtuar nga zeroja, duke i përmbushur standardet më të larta të NATO-s, dhe duke bashkëpunuar ngushtë me ekipin e NATO-s në kuadër të FSK-së”, thuhet mes tjerash në reagimin e kryeministrit Thaçi.